Edin Xheko ka udhëhequr Bosnjë-Hercegovinën për kohë të gjatë. Në moshën 39-vjeçare sulmuesi i Fenerbahçes vazhdon të jetë lider i boshnjakëve.
Të premten në fitoren 1:0 të Bosnjë-Hercegovinës në Bukuresht ndaj Rumanisë, Xheko pësoi lëndim të rëndë të hundës. Hunda i është ënjtur, por të ënjtura ka edhe rreth syve.
Në atë fitore të madhe, Xheko luajti vetëm në pjesën e parë. Lëndimin e pësoi kur Mihai Popescu e goditi me këmbë në hundë.

Pas kthimit në Sarajevë, Xheko bëri kontrollim mjekësor, ndërsa të dielën ka publikuar fotografi të fytyrës.
Në fakt ai publikoi fotografi nga disa prej lëndimeve të fundit. Ka lënduar arkadën, dorën e së fundi edhe hundën. Por nuk ndalet.
Ndonëse ka pamjen e një boksieri pas meçit prej 12 raundeve, Xheko ka gjasa të mëdha që të luajë të hënën për Bosnjë-Hercegovinën ndaj Qipros. Ndeshja i takon kualifikimeve për Botëror.
“Ai vërtetë duket si një lloj luftëtari dhe ka dëshirë të luajë përkundër gjitha kritereve dhe sugjerimeve. Kjo tregon karakterin e tij”, ka thënë në konferencë selektori boshnjak, Sergej Barbarez.
Bosnja e pret Qipron në Zenicë.