Futboll

Edhe me fitore, Kosova nuk e ka të sigurt avancimin tutje për “Euro 2026”

ks

Te Përfaqësuesja e Kosovës shpresojnë që t’i revanshohen Gjeorgjisë për humbjen në ndeshjen hapëse të kampanjës kualifikuese për “Euro 2026” në futsall. Por edhe në rast të fitores, “Dardanët” e futsallit, nuk e kanë të sigurt avancimin tutje për “Euro 2026”.

Ndeshjen e parë ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi më 13 dhjetor Kosova e humbi 3:1. Tjetër ndeshje të fortë ndaj gjeorgjianëve, Kosova do të zhvillojë të premten prej orës 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që organizohet në Letoni dhe Lituani e sigurojnë fituesit e dhjetë grupeve sa janë gjithsej, ndërsa tetë më të mirat e vendit të dytë luajnë në plejof.

Kosova aktualisht zë vendin e tretë me tri pikë, ndërsa prapa e ka lënë Bullgarinë pa pikë. 

Grupit pas katër ndeshjeve i prin Franca me 12 pikë. Gjeorgjia e dyta ka nëntë pikë. 

Ndeshja ndaj Gjeorgjisë, çerekfinalistes së Evropianit 2022, vlerësohet shumë e vështirë nga selektori i Kosovës në futbollin e sallës, Agon Ramadani. Por, Ramadani pret përkrahjen e shikuesve për të mposhtur Gjeorgjinë. 

Për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, Ramadani ka theksuar se kanë analizuar kundërshtarin dhe se Kosova do të shfrytëzojë maksimalisht forcat e saj. Ai theksoi se nuk mungon motivi, ndërsa ka vlerësuar atmosferën pozitive.

Kapiteni Ramadan Alaj pret përkrahjen e “Dardanëve” për të mposhtur Gjeorgjinë. Kapiteni Alaj theksoi se atmosfera në kampin e Kosovës është e mirë. Ka vlerësuar po ashtu punën në grumbullim. 

Për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë ka folur edhe Melos Kelmendi. Ai tregoi se janë në formë të mirë. Por Kelmendi e cilëson të vështirë ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Kelmendi ka premtuar maksimumin kundër gjeorgjianëve. 

Në ndeshjen e dytë të grupit, Kosova kishte fituar në Prishtinë 6:2 ndaj Bullgarisë. Më pas kishte pësuar dy humbje rresht nga Franca, 5:0 në shtëpi dhe 9:4 në udhëtim.
Duelin e fundit të kësaj kampanje kualifikuese Kosova e luan më 16 prill në udhëtim te Bullgaria, nga ora 17:00.