Futboll

E kryer, Slot zëvendëson Kloppin te Liverpooli

Arne Slot

Trajneri i Feyenoordit, Arne Slot, do të jetë trajneri më i ri i Liverpoolit nga sezoni i ardhshëm, ka raportuar të premten gazetari i njohur Fabrizio Romano.

Feyenoordi dhe Liverpooli kanë arritur marrëveshje për dëmshpërblim, i cili do të jetë rreth 15 milionë euro. Edhe kontrata e Slotit me "Reds" është zgjidhur, megjithëse ende s’është bërë publike.

Vetë Slot gjatë ditës së sotme ka thënë se ka vendosur ta marrë drejtimin e Liverpoolit. Por ka pritur marrëveshjen mes klubeve.

Nën drejtimin e Slot, Feyenoordi në 31 ndeshje në kampionatin holandez ka 23 fitore, gjashtë barazime dhe dy humbje. Feyenoordi është në vendin e dytë në tabelë me 75 pikë. Vendin e parë e mban PSV-ja me 84 pikë.

45-vjeçari e mori drejtimin e klubit holandez në vitin 2021. Gjatë kësaj periudhe e fitoi Eredivisien e Kupën e Holandës.

Slot luajti edhe kundër Dritës në vitin që debutoi te Feyenoordi në kualifikimet për Ligën e Konferencës. Madje, në “Fadil Vokrri” pati barazuar 0:0, ndërsa në shtëpi fitoi 3:2. Po në atë edicion arriti në finalen e kësaj gare, por u mposht nga Roma në Tiranë.