Rumania e fitoi grupin kualifikues për Euro 2024. I kishte 22 pikë në Grupin I, shtatë më shumë se Zvicra. Në këtë grup ishte edhe Kosova që u rendit vetëm e pesta me 11 pikë.
Por, në Evropian rumunët shkojnë pas një turpërimi të madh. Të premten mbrëma barazuan pa gola me Lihtenshtajnin në Bukuresht. Pak ditë më parë Lihtenshtajnin e mposhti Shqipëria 3:0.
Rumunët nuk u ndanë mirë as në miqësoren e parë. Më 4 qershor luajtën po ashtu pa gola ndaj Bullgarisë. Më 26 mars kishin pësuar 3:2 nga Kolumbia, ndërsa më 22 mars luajtën 1:1 me Irlandën e Veriut.
“Çfarë turpi. 0:0 me Lihtenshtajnin është rezultati më i keq në histori të Rumanisë. Drejt e në vendin e parë në listën e turpërimeve”, ka shkruar sajti i njohur rumun “digisport.ro”.
Ka pasur shumë tallje në llogari të Rumanisë, në rrjetet sociale pas barazimit me Lihtenshtajnin. Vetëm tre futbollistë të Lihtenshtajnit janë profesionistë.
“Lojtarët e mi janë amatorë. Vetëm tre prej tyre jetojnë nga të hyrat e futbollit. Rumania ka lojtarë me kualitet të madh. Të mos harrojmë që ka fituar grupin pa humbje dhe ka mposhtur Zvicrën”, ka thënë selektori i Lihtenshtajnit, Konrad Funfstuck.
Ai ka ftuar rumunët që të përkrahin përfaqësuesen e tyre dhe të mos dëshpërohen nga rezultati.
Trajnerë, drejtues klubesh e analistë të futbollit në Rumani ishin shumë kritikë ndaj përfaqësueses. Mediat po ashtu.
Selektori i Rumanisë, Edi Iordanescu megjithatë ka parë gjëra pozitive në ndeshje me Lihtenshtajnin.
“U kërkoj falje tifozëve. Nuk morëm rezultat pozitiv. Pas këtyre dy ndeshjeve në të cilat nuk realizuam gol, kërkoj nga tifozët që brengat e tyre, frustrimin, ta drejtojnë tek unë. Na mungoi goli, por ka pasur shumë gjëra pozitive. Ekipi është i njëjti, është ai që nderoi Rumaninë dhe u kualifikua pas një kohe të gjatë. Natyrisht duhet ende përmirësime, të vejmë gjërat në vendin e duhur gjatë këtyre nëntë ditëve”, ka thënë Iordanescu.
Rumania luan më 17 qershor ndaj Ukrainës. Më pas përballet me Belgjikën më 22 qershor dhe me Sllovakinë më 26 qershor.