18:07 - Dukagjini i udhëhequr nga trajneri Ismet Munishi, e ka shënuar fitoren e dytë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll.
Të shtunën në kuadër të xhiros së katërt të elitës së futbollit kosovar, Dukagjini fitoi ndaj Feronikelit 74 me rezultatin 2:0.
Skuadra nga Drenasi e pësoi disfatën e katërt rresht dhe për momentin është e fundit në tabelë. Pozita e vështirë ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët e skuadrës dhe ndeshja e së shtunës u përcoll me incident të shkaktuar nga ta. Policia reagoi duke e zbrazur pjesën e tifozëve ku u shkaktua incidenti. Ndeshja ishte ndërprerë nga minuta e 27-të, por vazhdoi pas dhjetë minutash.
Golat e fitores për Dukagjinin u shënuan nga qendërmbrojtësi Ilir Syla dhe sulmuesi Ebrima Jatta. Syla shënoi me gjuajtje të fuqishme nga zona në minutën e 13-të, ndërsa Jatta realizoi në minutën e 58-të, pasi u shmang mirë nga një mbrojtës kundërshtar në zonë.
Për Dukagjinin ishte fitorja e dytë në katër ndeshje të zhvilluara, në të cilat ka pësuar edhe dy disfata.
Dukagjini dyfishon epërsinë
17:30 - Ebrima Jatta e ka dyfishuar epërsinë e Dukagjinit në duelin ndaj Feronikelit 74.
Sulmuesi nga Gambia iu shmang një kundërshtari në zonë dhe e plasoi bukur topin prapa shpinës së portierit Marly Prince, në minutën e 58-të.
Dukagjini është duke fituar 2:0.
Dukagjini në epërsi pas pjesës së parë
17:00 - Dukagjini e ka mbyllur në epërsi pjesën e parë në udhëtim te Feronikeli 74, në ndeshjen e xhiros së katërt.
Skuadra nga Klina është duke fituar 1:0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërsa 45 minutat e para u karakterizuan edhe me incidentin e shkaktuar nga tifozët vendës.
Golin për 1:0 e shënoi qendërmbrojtësi Ilir Syla, që shënoi me gjuajtje të fuqishme nga zona në minutën e 13-të.
Ndeshja nga minuta e 27-të u ndërpre për dhjetë minuta, derisa u zbraz pjesa e tifozëve që shkaktuan incidentin.
Më pas u dhanë 13 minuta shtesë.
Feronikeli 74 u mundua t’i barazonte shifrat por nuk ia arriti.
Golit për skuadrën vendëse iu afrua më së shumti greku Vasilios Karagounis, që gjuajti fuqishëm drejt portës në fundin e pjesës së parë.
Portieri Bekim Rexhepi e priti tentimin e tij.
Zbrazet pjesa e tribunës ku u shkaktua incidenti, rinis ndeshja
16:41 - Ndeshja ndërmjet Feronikelit 74 dhe Dukagjinit ka rinisur në minutën e 40-të, ndërsa pjesa e tribunës ku u shkaktua incidenti është zbrazur.
Është ndërprerë ndeshja në “Rexhep Rexhepi”
16:39 - Për shkak të telasheve me tifozët vendës, ndeshja ndërmjet Feronikelit 74 dhe Dukagjinit, është ndërprerë përkohësisht.
Ndeshja është ndërprerë në minutën e 27-të dhe ende nuk ka vazhduar, por pritet të fillojë së shpejti.
Deri tani ende nuk ka vendim zyrtar nga gjyqtarët.
Gol në Drenas
Dukagjini ka kaluar në epërsi në minutën e 13-të në ndeshjen ndaj Feronikelit 74.
Ky ballafaqim i takon xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll dhe po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Ilir Syla realizoi me gjuajtje të fuqishme nga zona.