Futboll

Duka për Evropianin me Serbinë: Bashkëkandidimi është faktor i rëndësishëm

Armand Duka - president i FSHF-se

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mbrojtur sërish vendimin për të organizuar së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë, Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027. 

Kandidatura e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është e vetmja, ndërsa në dhjetor, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, vendimi që Evropiani të mbahet në këto dy vende pritet të zyrtarizohet. 

Në Kosovë, por në një masë edhe në Shqipëri, po kundërshtohet ashpër vendimi që FSHF-ja ta organizojë bashkë me Serbinë këtë ngjarje kontinentale. Por Duka thotë se nga Evropiani U21, Shqipëria ka vetëm benefite.

Ai ka treguar se tashmë është bërë shumë punë për të fituar të drejtën e organizimit. 

“Ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Evropian U-21 në Shqipëri për vitin 2027, si fillim vetëm, e më pas kemi bashkuar konkurrimin tonë me Serbinë. Në fakt nga dita që kemi aplikuar e deri më sot është bërë shumë punë, janë përgatitur shumë dokumente për të përgatitur dosjen për të qenë pjesë e kësaj gare. Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për t’i përgatitur, pasi është një volum shumë i madh, që nuk përfshin vetëm Federatën e Futbollit, por edhe qeverinë shqiptare, bashkitë, përfshin gjithë infrastrukturën që duhet, hotelerinë, aeroportin që është shumë i rëndësishëm. Mendoj se kemi përgatitur dokumentacionin e duhur për të qenë organizatorë të kësaj gare, që për mua e çdokënd ka vetëm benefite sportive për Shqipërinë”, ka thënë Duka në një intervistë e që është publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së.

Ai ka përmendur kualifikimin direkt të Shqipërisë U21 në Evropian. Është arsyetuar duke thënë se deri më tani Shqipëria nuk ishte asnjëherë pjesë e kësaj ngjarjeje.

“I pari benefit sportiv është që Shqipëria merr pjesë në ato finale pa kualifikime. Është një shans që deri më sot nuk ka ndodhur që U21-shi jonë të jetë në një Kampionat Evropian, gjë që do t’i ndihmonte futbollistët tanë dhe ekipet shqiptare në përgjithësi. Ndihmon ndryshimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri. Ndihmon edhe kampionati i 17-vjeçarëve në 2025-n, sepse për ta bërë atë ne toerikisht kemi aplikuar që do të bëjmë kaq fusha, kaq stadiume etj, etj. Tani ne do t’i bëjmë, pasi nëse nuk i bëjmë nuk realizohet kampionati. Pra përfiton infrastruktura akoma më shumë në 2027-n me U-21”, ka shtuar Duka.

Kur ishte bërë i ditur aplikimi i përbashkët me Serbinë, Duka kishte thënë se Kosova nuk ka infrastrukturë sportive të duhur, prandaj nuk është paraqitur kandidaturë e përbashkët me të.

Lidhur me kandidaturën me Serbinë, presidenti i FSHF-së thotë se duhet të ndërtohet e ardhmja pa u harruar e shkuara. Ngul këmbë se kandidimi i përbashkët është shumë i rëndësishëm. Ai ka kërkuar që të mos gjykohet me emocione. 

“Në fund të fundit ne do të luajmë në Shqipëri dhe Serbia në Serbi, por bashkëkandidimi është një faktor i rëndësishëm. Ne vetëm nuk kemi mundësi ta organizojmë. Gjithsesi kjo edhe ka ngjallur diskutime, ka edhe në një lloj mënyre, kundërshtime. Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë emocionalisht, duhet të gjykojmë akoma më shumë. Padyshim nuk kam një pozicion kritik për ata që gjykojnë emocionalisht, por i ftoj që të gjykojmë ndryshe. Pa harruar të shkuarën ne duhet të ndërtojmë të ardhmen dhe kush më mirë se futbolli mund t’i japë këto mesazhe bashkëpunimi, solidariteti. Në fund të fundit ne nuk kemi vetëm një bashkëpunim me Serbinë, atë përmes futbollit, kemi edhe bashkëpunime në fusha të tjera, bashkëpunime politike, tregtare, pavarësisht se jemi kritik në shumë gjëra. Ne duhet të ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të shkuarën”, thotë Duka.

Pa përmendur direkt Kosovën, Duka ka folur edhe për atë që ndodhi mes popullit shqiptar dhe atij serb. 

Serbia vazhdon të ketë pretendime ndaj Kosovës dhe vazhdon të shkaktojë shumë probleme për shtetin. Por Duka thotë se Euro 2027 është “vetëm sport”.

“Vërtetë mbase periudha nuk është shumë e gjatë nga ajo çfarë ka ndodhur mes popullit tonë dhe atij serb, apo ushtarëve serbë dhe popullit tonë. Ka shumë histori të tjera popujsh ashtu sikurse ne. Futbolli ka ndikuar aq sa mund të ndikojë pozitivisht. Në fund të fundit ne do të bëjmë një kampionat sportiv, ky është një aktivitet sportiv. Në këndvështrimin tonë, qëllimi jonë është thjesht benefite sportive. Ne do të luajmë në Shqipëri, grupi tjetër në Serbi”, ka thënë Armand Duka.

Kundërshtimet për Evropianin e përbashkët Shqipëri – Serbi sa shkojnë e rriten. Vendimi i Dukës dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk po pranohet e nuk po kuptohet.

Kundërshtim të ashpër tashmë kanë shprehur tifozët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës. Sidomos në Kosovë ka kundërshtime të fuqishme për këtë Evropian edhe nga njerëz të shumtë të futbollit.