Futboll

Duka: Nga Kosova do ta merrja Zhegrovën

Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se edhe pse nuk ka mundësi, lojtarin e Kosovës që do ta dëshironte pjesë të “kuqezinjve” është Edon Zhegrova.

Në një intervistë për “Euronews” të mërkurën, Duka foli për ecurinë e Kosovës, ndërsa u shpreh optimist se Dardanët mund të jenë ekip pretendent për Kupën e Botës 2026.

“Kosova ka një skuadër shumë të mirë, ka futbollistë me shumë kualitet, pavarësisht se ka pasur një hap pas kundër Rumanisë. Në ndeshjet e tjera kanë qenë bindëse dhe unë uroj që të vazhdojnë kështu deri në fund. Duket disi e vështirë për Kosovën që të jetë e para në Ligën e Kombeve. Por edhe si e dyta e grupit, mund të luaj në play-off dhe kam shumë besim që edhe në play-off do ta kalojnë në grupin B. Do të jenë një ekip pretendent për Kupën e Botës në vitin 2026. Nëse trajneri ka ndryshuar, apo koha, këtë nuk di ta them, por di që është një trajner me eksperiencë. Rregullorja nuk lejon marrjen e lojtarëve që janë aktivizuar, por me dëshirë do ta merrja Zhegrovën”, ka thënë Duka.

Në Grupin 2 të Ligës C, Kosova ka nëntë pikë, tri më pak se liderja Rumania. Në nëntor, ekipi i Franco Fodas luan në Bukuresht dhe pret Lituaninë.

Duka, kryetar i FSHF-së, ka qenë në qendër të kritikave pas vendimit për ta organizuar EURO 2021 (U21) së bashku me Serbinë.