Futboll

Duka flet për ndeshjen me Serbinë dhe Evropianin me Serbinë

Armand Duka

Gjatë intervistës së gjatë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur edhe për ndeshjen me Serbinë që i takon kualifikimeve për Botërorin 2026, por edhe për Evropianin U21 të vitit 2027, që Shqipëria e organizon bashkë me Serbinë.

Ndeshja me Serbinë në Tiranë është më 7 qershor.

“Ekziston emocioni, pesha e historisë mes dy kombëtareve. Unë i ftoj të gjithë, besoj se do ta bëjnë të gjithë. Ta shohim ndeshjen me Serbinë si një ndeshje futbolli dhe asgjë më shumë. Objektivi ynë kryesor është që të fitojmë sportivisht. Nëse fitojmë sportivisht, i kemi fituar të gjitha”, ka thënë Duka.

Ai ka thënë se në FSHF janë të vëmendshëm për kritikat, vërejtjet, por edhe sharjet e tifozëve për bashkëpunimin me federatën serbe për Kampionatin Evropian. Ka thënë se qëllimi është sportiv.

“Edhe nga ana politike, pa dyshim që jo vetëm e kam përjetuar atë që ka përjetuar çdo kosovar (jo në të njëjtën mënyrë sepse nuk kam qenë fizikisht në Kosovë), por të gjithë ne e kemi mbështetur dhe jemi munduar të lehtësojmë dhimbjen e shqiptarëve të Kosovës. E di historinë, por mesazhi është që ne duhet të shohim përpara. Ne nuk do ta ndryshojmë Serbinë, nuk do ta lëvizim Serbinë nga vendi. Ajo do të rrijë aty, Kosova do të rrijë aty. Pavarësisht dhimbjes, duhet të gjejmë mënyrën dhe duhet të gjejmë ura komunikimi. Nëse kjo do të ndikojë apo jo pak pozitivisht, unë besoj se po. Dhe nëse kjo i shërben përmirësimit të jetës së fëmijëve në Kosovë, unë do të jem i kënaqur. Do lëndojë disa sepse plagët janë të freskëta, por ne duhet të shohim përpara”, ka thënë Duka.

Ai pret që Evropiani të jetë ngjarje perfekte dhe organizim i suksesshëm.

Duka ka përmendur edhe rilindjen e ndjenjës së krenarisë së shqiptarëve që lidhet me sukseset e Shqipërisë në futboll.

“Me keqardhje konstatoj që shqiptarët e Shqipërisë që emigrojnë jashtë, fëmijët e tyre nuk flasin të gjithë shqip, ndërsa shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trojeve të tjera, nuk e kanë harruar asnjëherë gjuhën. Fëmijët e mikut tim nuk flisnin gjuhën dhe nuk kishin dëshirë të vizitonin Shqipërinë dhe pas Evropianit, jo vetëm që kanë filluar të flasin shqip, por rrinë me bluzën e Kombëtares së Shqipërisë dhe nga ajo kohë kanë ardhur pesë herë në Shqipëri, janë lidhur akoma më shumë me vendin. Kjo tregon se sa shumë i shërben kombit futbolli”, ka thënë Duka, derisa ka folur për efektet e suksesit të Kombëtares së Shqipërisë.