Futboll

Drita pësoi disfatë në Varshavë, kualifikimin do ta kërkojë në Prishtinë

Legia

Skuadra e Dritës luajti vetëm 30 minutat e para të ndeshjes së parë të pleofit të Ligës së Konferencës kundër Legias së Varshavës me numër të njëjtë të lojtarëve në fushë. Pjesën më të madhe të ndeshjes e luajti me një lojtarë më pak në fushë. Dhe kjo u kushtoi me humbje gjilanasve. 

Mbrojtësi ganez i Dritës, Hasan Gomda, në minutën e 30-të, u ndëshkua me karton të kuq. Atij fillimisht iu tregua kartoni i verdhë, por pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari ndërroi vendim dhe e përjashtoi ganezin me karton të kuq direkt.

20-vjeçari u pa me lot në sy teksa dilte nga stadiumi, ndërsa mori përkrahje të madhe nga lojtarët e tjerë të Dritës. 

Drita e humbi ndeshjen e luajtur në Varshavë nga Legia me rezultatin 2:0. Me disfatën e pësuar të enjten mbrëma, Drita ka bërë një hap prapa drejt kualifikimit historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. 

Por Drita ende nuk ka shuar shpresën për kualifikim në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. Javën e ardhshme gjilanasit e presin Legian në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Pawel Wszolek e pati mundësinë e parë kur gjuajti nga distanca, por portieri Faton Maloku, që pati disa intervenime të mira në pjesën e parë, reagoi duke e devijuar topin. 

Pak para fundit të pjesës së parë, Drita e pati një mundësi të mirë shënimi. Almir Ajzeraj tentoi të shënonte, por ishte Sergio Barcia që e bllokoi gjuajtjen e tij. 

Pas përfundimit të pjesës së parë, në drejtim të lojtarëve të Legias pati vërshëllima, pasi nuk u shënuan gola. 

Maloku, pavarësisht paraqitjes së mirë, u mposht në minutën e 56-të. 

Sulmuesi Blazh Kramer realizoi me kokë nga afërsia për epërsinë 1:0 të polakëve. 

Dhjetë minuta më vonë, Maloku reagoi mirë edhe pas tentimit të fuqishëm të Ruben Vinagres. 

Legia u mundua të shënonte edhe më shumë gola, ndërsa trajneri i vendësve reagoi duke bërë katër zëvendësime. Marc Gual, Tomash Pekhart, Ryoya Morishita dhe Kacper Chodyna u inkuadruan në lojë. 
Dhe ishte pikërisht Morishita që bashkëveproi me Gualin, i cili realizoi për 2:0 në minutën e 83-të. Edhe tentimi i Bartosz Kaputskas ishte i rrezikshëm më pas, por gola nuk pati më. 

Legia e Varshavës skuadrën e Dritës e kishte eliminuar pas fitores 2:0 në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës në edicionin 2020/21. Atëbotë ishte luajtur vetëm një ndeshje. Drita është skuadra e vetme shqiptare që është duke u paraqitur në kupat evropiane. 

Klubet nga Kosova; Ballkani, Llapi dhe Malisheva janë eliminuar më herët.


Legia në epërsi ndaj Dritës

Legia e Varshavës ka kaluar në epërsi ndaj Dritës. 

Në minutën e 56-të, Blaz Kramer shënoi për 1:0 në të mirë të skuadrës polake. Ai e mposhti portierin Maloku pas gjuajtjes me kokë nga afërsia.


Drita nuk pranon gol në pjesën e parë

Skuadra e Dritës, ndonëse me një futbollist më pak në fushë prej minutës së 30-të kur u përjashtua Hasan Gomda, nuk ka pranuar gol në pjesën e parë. 

Drita është duke luajtur në Varshavë kundër Legias në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës. 

Skuadra e madhe polake pati iniciativën për të realizuar gol, por portieri Faton Maloku është shquar me disa pritje. 

Ndeshja kthyese e plejofit të Ligës së Konferencës zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.