Futboll

Drita i afrohet edhe më shumë titullit

KF Drita

Drita e ka mposhtur Prishtinën në kuadër të xhiros së 29-të të elitës së futbollit të Kosovës, dhe i është afruar edhe më shumë titullit.

Gjilanasit të enjten në terrenin me bar sintetik triumfuan ndaj prishtinasve me rezultatin 2:0.

Me pikët e plota të fituara, Drita e ka mbajtur diferencën e dhjetë pikë nga ndjekësi i parë, Ballkani.

Drita ka 63 pikë në vendin e parë, kurse Prishtina mbetet me 38 pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë.

Veton Tusha i shënoi të dy golat e fitores për Dritën. Të parin e realizoi në minutën e 15-të, ndërsa u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.

Në minutën e 27-të, Tusha e realizoi edhe një gol tjetër për 2:0.

Për shkak të pozitës jashtë loje, Dritës iu anulua edhe një gol i minutës së 69-të.

Deri në fund të kampanjës në Superligën e Kosovës kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u luajtur.

Prishtina e Drita më 23 prill e luajnë ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll.

Prishtina në Gjilan më 9 prill, fitoi me rezultatin 1:0 dhe ka shanse të mira për të avancuar në finale.

Në gjysmëfinalen tjetër luajnë Drenica dhe Llapi. Llapi në ndeshjen e parë fitoi 2:0.