Ndalja në barazim e Ballkanit dhe Suharekës bën që Drita e Prishtina të kenë tjetër rast të afrohen me skuadrat e kreut të tabelës.
Për këtë, dy skuadrave të mëdha të Superligës së Kosovës në futboll u duhet fitorja të enjten në Gjilan. Ndeshja që fillon në orën 13:00 është derbi i xhiros së 11-të të elitës së futbollit kosovar.
Ballkani të martën luajti 3:3 me Gjilanin, ndërsa Suhareka të mërkurën luajti 1:1 ndaj Dukagjinit në Klinë.
Prishtina aktualisht është e katërta në tabelë me 16 pikë nga nëntë ndeshje. Drita i ka tetë ndeshje të luajtura dhe me 15 pikë mban pozitën e pestë. Ballkani udhëheq me 19 pikë nga 11 ndeshje. Malisheva i ka 18 pikë nga 10 ndeshje, ndërsa 17 pikë po nga 10 ndeshje i ka Suhareka.
Të enjten është edhe ndeshja mes Ferizajt e Malishevës, që po ashtu ka ndikim në pjesën e epërme të tabelës.
“Nesër kemi derbin ndaj skuadrës që si gjithmonë synon kreun e tabelës, përkatësisht titullin e kampionit. Duhet të mendojmë edhe për ekipin tonë, pasi kemi tri barazime radhazi dhe është momenti i duhur për të reflektuar. Duhet të jemi më agresivë për të ardhur deri te objektivi, që është fitorja”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, të mërkurën në konferencë për shtyp.
Pas fitores në xhiron e shtatë ndaj Dukagjinit, Drita barazoi 1:1 me Gjilanin dhe 0:0 me Feronikelin 74 e Malishevën. Pra është pa gol në dy ndeshjet e fundit e pa fitore në tri të fundit.
“Në ndeshjen e parë nuk krijuam, nuk ishim të rrezikshëm. Kundër Malishevës kishim raste shënimi, por nuk ishim të saktë. Këtë presion e mbajmë ne si staf teknik dhe e heqim nga futbollistët. Ata duhet ta bëjnë punën e tyre”, ka shtuar Ramadani.
Prishtina në fundjavë pësoi 2:1 në udhëtim nga Suhareka. Para kësaj humbjeje kishte fitore ndaj Feronikelit 74 dhe Malishevës.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje e madhe mes dy ekipeve të shkëlqyera. Dhe, natyrisht do të bëjmë gjithçka për të rikuperuar pikët e humbura nga Suhareka. Jemi përgatitur mirë, jemi rikuperuar mirë. E dimë po ashtu që do të duhet të luftojmë. Kampionati do të jetë shumë i gjatë dhe ne kërkojmë të jemi më të mirët. Pra duhet të vazhdojmë dhe duhet të kthehemi me fitore”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Jean Michel Cavalli.
Të mërkurën u zhvillua edhe ndeshja mes Llapit e Feroniekelit 74, që po ashtu përfundoi 2:2. Skuadra mysafire ishte në epërsi 2:0, por llapjanët barazuan 2:2. Mysafirët nga Drenasi pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga arbitrat.