Futboll

Drita e “ndezur” në futboll e volejboll, e “shuar” në basketboll

KB Drita intelektualet

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, pret riorganizimin e Dritës (Foto-Ilustrim)

Klubi i futbollit Drita vlerësohet prej klubeve më të organizuara në vitet e fundit në Kosovë. Ka stabilitet financiar, ndërsa vlerësohet edhe për organizimin e mirë. Lufton për trofe. Drita është prej pretendueseve kryesore për ta fituar titullin e kampionit në edicionin 2024/2025. Zë vendin e tretë me 21 pikë, një më pak se Ballkani e Malisheva që kanë dy ndeshje më shumë të zhvilluara se Drita. Skuadra e futbollit titullin e tretë e fitoi në edicionin 2019/2020.

Ngjashëm si klubi i futbollit për nga organizimi vlerësohet edhe ekipi i volejbollit në konkurrencën e femrave. Volejbollistet e Dritës në maj të këtij viti festuan titullin e katërt rresht, të tetin në përgjithësi. Ka edhe tetë kupa të Kosovës. Edhe sivjet synon trofe, ashtu si edhe klubi i futbollit Drita. Sivjet në garë për titull janë edhe volejbollistët e Dritës. Janë në vendin e katërt me 17 pikë, dy më pak se Skënderbeu e Ferizaj.

Por ndryshe është në klubin e basketbollit Drita. Skuadra e basketbollit nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në edicionin aktual në rangun më të ulët të garave të basketbollit - Ligën e Dytë.

Klubi nuk është i organizuar, ndërsa ka edhe telashe financiare. Klubi i basketbollit Drita nga vera e këtij viti ka ndërruar status. Ka kaluar nga Organizata Joqeveritare (OJQ) në Shoqëria me përgjegjësi të kufizuara.

Krizën e klubit të basketbollit Drita e konfirmon kapiteni Qëndrim Demi.

“Nuk kemi stërvitur qe 40 ditë. Në mes të muajit gusht kemi nisur ushtrimet. I kemi vazhduar deri në fund të shtatorit, por nga shtatori nuk kemi zhvilluar ushtrime. Një pjesë e lojtarëve kanë ndërruar skuadër dhe një pjesë tjetër ka gjetur punë”, ka thënë Demi për KOHËN të hënën.

Ai gjatë ditës ka shkruar në Facebook duke theksuar se rrugëtimi i klubit të basketbollit Drita merr fund.

“Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit. Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjtë e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund.

Ndonëse ‘Drita’ sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte”, ka shkruar Demi.

Por drejtori i klubit, Arbenit Bislimi, thotë se klubi ende nuk e ka shuar aktivitetin.

“Isha duke biseduar me pronarin dhe nuk e konfirmon shuarjen e klubit. Në një mënyrë po kërkon përgjegjësi nga kapiteni pse ka dalë me një deklaratë të tillë të nxituar. Më duhet ta mbroj edhe kapitenin, pasi nuk kemi pasur ecuri sipas planit në klub. Por nuk është shuar ende klubi. Më tha se më 25 tetor e ka marrë licencën. Dhe ne këtu në klub qysh nesër do të mundohemi të organizohemi dhe të gjejmë dalje nga kjo krizë. Kemi shpresuar të garojmë në Ligën e Parë. Por kemi ngecur në procedura të dokumentacionit. Na ka thënë se investimet i bëj në ligën e parë, tash jemi në ligën e dytë dhe lojtarët janë mllefosur. Uroj të marrë ngjyrë pozitive kjo situatë”, ka thënë Bislimi për KOHËN.

Bislimi në klubin Drita ka qenë edhe si lojtar, trajner dhe kryetar. Tani mban rolin e drejtorit të klubit Drita.

“Deri në edicionin 2014/2015 kemi qenë pjesë e Superligës dhe kemi rënë për shkak të anës financiare. Në vitin 2021 jemi rikthyer në Superligë. Garuam një vit, por për shkak të krizës financiare kemi rënë tash në Ligën e Dytë”, ka theksuar Bislimi.

Ai pranon se klubi i basketbollit Drita nuk i afrohet për nga niveli klubit të futbollit dhe volejbollit.

“Në basketboll jemi katastrofë. Nuk e meritojmë të jemi në këtë situatë”, ka thënë Bislimi.

Për situatën në të cilën është aktualisht klubi i basketbollit Drita, KOHA ka kërkuar një qëndrim edhe nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Por ai nuk u është përgjigjur telefonatave e as mesazheve të KOHËS.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, pret riorganizimin e Dritës.

“Është fatkeqësi që një klub si Drita të largohet nga garat pas fillimit të stinorit. Megjithatë, ndryshimet në strukturën drejtuese dhe ndërrimi i formës së organizimit të klubit gjatë verës ka rezultuar me telashe të paparashikueshme të klubit dikur kampion i Kosovës. Përkundër angazhimit dhe përkushtim të treguar nga menaxhmenti i ri si dhe nga autoritetet komunale për ta rivitalizuar klubin pas ndryshimit të statusit juridik, është evidentuar se për klubin ky zhvillim ishte tejet i vonshëm. Për FBK-në zhvillimi i basketbollit në Gjilan është tejet i rëndësishëm, andaj ne do të bëjmë çdo gjë që është në duart tona për të siguruar që vitin tjetër KB Drita të kthehet fuqishëm në skenën basketbollistike”, ka thënë Fetahu për KOHËN.

Si klubi i futbollit dhe ai i volejbollit në konkurrencën e femrave, edhe i basketbollit ka dalë kampion. KB Drita ishte kampione e vitit 1997. Tani rrezikon shuarjen.