Futboll

Drenica ndahet me trajnerin Visoka

Megzon Visoka

Megzon Visoka nuk është më trajner i Drenicës së Skënderajt.

Visoka të martën mbrëma njoftoi se “kryesia e klubit, pas analizës së performancës sportive dhe rrjedhës së deritashme të kampionatit, ka arritur në përfundim se klubi nuk është në rrugën e dëshiruar dhe ka kërkuar që të ndërpresim bashkëpunimin”.

Sipas tij, pas kësaj kërkese është vendosur për t’i ndarë rrugët.

Drenica është e dyta në Grupin A të Ligës së Parë me 18 pikë nga tetë ndeshje. Ka një pikë më pak se Vëllaznimi e një më shumë se Trepça.

Drenica nuk ka pësuar asnjë humbje në tetë ndeshjet e para, si asnjë skuadër tjetër në Superligë dhe në Ligën e Parë. Por drejtuesit e klubit kanë vendosur për ndryshim.