Borussia Dortmund – RB Leipzig është prej ndeshjeve kryesore të xhiros së nëntë të Bundesligës gjermane. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 18:30.
Dortmundi është në moment të keq, përkatësisht në seri prej tri humbjeve. Pësoi 5:2 nga Real Madridi në Champions e më pas humbi nga Augsburgu në Bundesligë dhe nga Wolfsburgu në ndeshjen për Kupë të Gjermanisë.
Pas xhiros së tetë në Bundesligë, është në pozitën e shtatë me 13 pikë.
RB Leipzigu ka nisur mbarë edicionin në kampionatin gjerman. I ka 20 pikë, sa edhe lideri, Bayerni.
Leipzigu synon të vazhdojë garën për kreun, ndërkohë që te Dortmundi janë të vendosur t’i japin fund periudhës shterpe.
Po të shtunën, Bayerni luan nga ora 15:30 ndaj Union Berlinit. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për bavarezët. Union Berlini i ka 15 pikë në vendin e katërt dhe shpreson të marrë pikë ndaj liderit.
Në Bundesligë, gjashtë ndeshje janë të shtunën e dy të tjera të dielën. Xhiroja mbyllet me takimin Borussia Moenchengladbach – Werder Bremen, që zhvillohet të dielën nga ora 17:30.