Futboll

Disfata e tretë rresht për Interin

Inter Milan

Interi ka bërë hap shumë të gabuar në garën për titull kampioni në Itali.

Skuadra e Simone Inzaghit u mposht të dielën pasdite nga Roma me rezultatin 1:0.

Kjo ndeshje i takoi javës së 34-t të Serie A. Deri në fund ka mbetur edhe katër xhiro.

“Nerazzurrët” nuk janë duke kaluar formë të mirë pasi për ta humbja nga Roma ishte disfata e tretë rresht në të gjitha garat.

Interi të mërkurën u eliminua edhe nga gjysmëfinalja e Kupës së Italisë. U mposht thellë nga Milani me rezultatin 3:0. Edhe në xhiron e kaluar në elitën e futbollit italian u mposht nga Bologna me rezultatin 1:0.

Ndërkohë Roma është në ecuri shumë të mirë të rezultateve. Ka 18 ndeshje pa humbje në ligë.

Golin e fitores për Romën e realizoi Matias Soule në minutën e 22-të.

Interi është lider me 71 pikë por tashmë e rrezikon pozitën e parë.

Edhe skuadra e Napolit i ka 71 pikë në vendin e dytë por sonte nga ora 20:45 e pret Torinon dhe në rast të fitores, napolitanët do të bëhen lider.

Interi në vazhdim ka orar shumë të ngjeshur pasi të mërkurën e ardhshme do të luaj në udhëtim te Barcelona në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.