Futboll

Dhunë e referim i kontestuar në futbollin kosovar

Incidenti në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet për incidentin që ka ndodhur pas ndeshjes Liria – Vëllaznimi, e luajtur të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Nga policia kanë bërë të ditur se është hapur rast për veprën penale “lëndim trupor”.

Ndeshjen derbi të javës së 16-të të Grupit A të Ligës së Parë e fitoi Liria me rezultat 1:0.

“Pasi janë shqyrtuar të gjitha raportet dhe deklaratat, nga stacioni policor në Prizren është hapur rast ‘lëndim trupor’. Policia është duke punuar në identifikimin e personave të përfshirë në incident”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për KOHËN.

Nga policia fillimisht nuk kishte asnjë të arrestuar.

“Ka pasur një përleshje ndërmjet tifozëve, por Policia ka intervenuar shpejtë dhe është qetësuar situata pa pasoja. Nuk ka ndonjë të arrestuar”, tha Bytyqi në njoftimin e parë.

Nga incizimet që janë shpërndarë në rrjetet sociale është parë se disa tifozë të ekipit prizrenas kanë hyrë në fushë dhe kanë hedhur gjësende në drejtim të përkrahësve të Vëllaznimit. Në të njëjtën formë reaguan edhe disa tifozë gjakovarë. Pati edhe hedhje të shkopinjve nga tribunat.

Janë përfshirë edhe lojtarët, në veçanti ata të Vëllaznimit. Shihet një lojtar i Vëllaznimit që tenton ta godasë njërin prej tifozëve prizrenas që kishte hyrë në fushë. Janë parë edhe shumë zyrtarë e po ashtu pjesëtarë të policisë që tentuan të largojnë tifozët nga fusha.

Me reagim të dielën mbrëma doli klubi gjakovar. Tifozët që hynë në fushë, Vëllaznimi i cilëson “kriminelë”. Vëllaznimi ka publikuar edhe disa foto nga incidenti.

“Tifozët vendas kanë sulmuar fizikisht lojtarët Altin Vojvoda dhe Ardian Hoti si dhe është sulmuar dhe fyer shtabi teknik dhe drejtori i klubit nga ndihmëstrajneri i Lirisë, Kevin Xhafa. Për këtë arsye arbitri kryesor e ka ndëshkuar me karton të kuq.

Vëllaznimi sipas rregullores së garave 72 orë para ndeshjes e ka paralajmëruar Federatën dhe Lirinë që tifozët do të udhëtojnë në këtë ndeshje, por klubi i Lirisë me Policinë e Kosovës me neglizhencë totale dështuan në organizim duke mos marrë asnjë nga masat e duhura për sigurinë në ndeshje, që la hapësirë për eskalim total të dhunës në fund të ndeshjes nga kriminelët në publikun vendas”, shkruan ndër të tjera në reagim.

Liria nuk ka dalë me ndonjë reagim.

Edhe në shtator të vitit të kaluar pati tensione pas përfundimit të ndeshjes në mes të këtyre dy skuadrave e luajtur në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.

Pos dhunës, futbollit kosovar nuk po i ndahen as akuzat ndaj arbitrave. Të dielën ka pasur komente të shumta për referimin në ndeshjen Dukagjini – Gjilani. Ndeshja përfundoi 0:0.

Trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, përmes disa postimeve ka thënë se arbitri Mervan Bejtullahu është përballur me presion dhe për këtë “në shumë raste mori vendime kundër Dukagjinit”.

Përmes një komunikate reagoi klubi Mitrovica. Mitrovica e humbi 1:0 ndeshjen derbi të qytetit ndaj Trepçës. Të dyja skuadrat garojnë po ashtu në Grupin A. Trepça fitoi me gol nga penalltia në minutat shtesë.

“Sot në Mitrovicë u vodh djersa, angazhimi dhe super paraqitja e futbollistëve tanë nga një person i cili ka emrin Qëndrim Vata! Një person i cili sot na vodhi jo vetëm pikët por edhe i dha një njollë negative futbollit kosovar, ku më shumë se 1000 tifozë ishin prezent në këtë ndeshje dhe panë me sytë e tyre se çka do të thotë të anosh dhe të vjedhësh 3 pikë në minutat 90+7 të ndeshjes së javës së 16 të. Nuk është hera e parë e mbase as e fundit që ky person me emrin Qëndrim Vata na dëmton rëndë duke u bërë si lojtari i 12-të i skuadrave duke ndikuar drejtpërdrejtë në rezultat”, shkruan në reagimin e Mitrovicës.

Si zakonisht, dhuna dhe akuzat ndaj referimit e ndërkohë edhe akuzat për kurdisje, pritet të bëhen më të shpeshta në pjesën e dytë të kampionatit.