Futboll

Derby Merseyside për herë të fundit në “Goodison Park”

Mohamed Salah Liverpool

Fundjava e Premier Leagues angleze, përkatësisht xhiroja e 15-të, do të jetë e mbushur me ndeshje të forta e interesante.

Xhiroja nis të shtunën nga ora 13:30 me derbin “Merseyside” ndërmjet Evertonit dhe Liverpoolit, liderit të ligës.

Liverpooli i ka 35 pikë, shtatë më shumë se ndjekësit, Chelsea e Arsenali. Manchester City ka mbetur prapa me 26 pikë.

Evertoni ndërkohë është i 15-ti me 14 pikë.

Kjo ndeshje e zjarrtë do të luhet për herë të fundit në stadiumin “Goodison Park”, pasi Evertoni do të dalë në stadiumin e ri nga edicioni i ardhshëm.

Evertoni e kërkon fitoren e dytë rresht në derbit në ligë ndaj Liverpoolit, për herën e parë që prej vitit 1985.

Ndeshjen e fundit të zhvilluar më 24 prill, Evertoni e kishte fituar 2:0.

Derbi “Merseyside” ka dhuruar plot 23 kartonë të kuq, ndërsa 12 herë skuadrat janë ndarë baras, që është rekord në ligë.

Në rast të fitores së skuadrës së drejtuar nga Arne Slot, do të ishte fitorja e 100-të për Liverpoolin në ballafaqimet me Evertonin.

Ky do të jetë derbi i 245-të i dy prej rivalëve më të vjetër të futbollit.

Prej dueleve interesante në këtë fundjavë veçohet edhe ai mes Tottenhamit dhe Chelseat që luhet të dielën nga ora 17:30.

Tottenhami i ka humbur tetë nga 11 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Chelseat. E ka edhe një fitore e dy barazime.

Tottenhami është i dhjeti me 20 pikë, aq sa kanë edhe Brentfordi e Newcastle.

Manchester City luan në udhëtim te Crystal Palace, të shtunën nga ora 16:00, ndërsa Manchester Unitedi nga ora 18:30 të shtunën e pret Nottingham Forestin.