Familja Demaku ka një hero që e njeh e gjithë Kosova. Një tjetër anëtar i familjes Demaku synon të bëhet hero i Kosovës në të ardhmen.
Jo hero në betejë, por në fushën e futbollit.
Është futbollisti më i ri i Kosovës ai që mban emrin e dëshmorit Vesel Demaku.
“Mbaj emrin e heroit të Kosovës, Vesel Demaku. Ka qenë edhe arsye më e fortë që të luaj për Kosovën”, ka thënë futbollisti 24-vjeçar i Altachut të Austrisë, Vesel Demaku, për KOHËN, një ditë pasi vendosi ta përfaqësojë Kosovën.
“Gjyshin nuk e kam takuar asnjëherë, por tregojnë njerëzit që ka qenë i mirë, mësues. Flasin mirë për të. Ka qenë i mirë shumë”, thotë mesfushori defensiv. Ai flet me një shqipe të rrjedhshme.
Demaku shpreson ta bëjë krenare familjen e tij me paraqitje për Kosovën. Pra të jetë i mirë në fushë dhe ta nderojë emrin e madh që e mban.
“Nuk kam dëshirë të flas para se të futem në fushë. Kam dëshirë të tregoj për veten më shumë në fushë”, është shprehur Demaku.
24-vjeçari u lind në Austri, ndërsa është me rrënjë nga Abria e Drenasit. Ai ka luajtur 45 ndeshje në grupmoshat nga U15 deri U21 të Austrisë. Thotë se i është mirënjohës Austrisë, por shton se tashmë fokusin e ka te Kosova.
Demaku thotë se rol të rëndësishëm luajti edhe ish-sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu. Nuhiu është ndihmëstrajner i ekipit të Altachut, ku Demaku paraqitet rregullisht.
“E kam ndier para 2-3 vitesh të paraqitem për Kosovën. Zemra më ka rrahur të luajë për Kosovën, për familjen time. Kur sheh prindërit që janë krenarë, edhe ti pastaj ke dëshirë të madhe të luash për Kosovën. Austria më ka ndihmuar shumë. Jam edukuar këtu dhe nuk duhet t’ia harroj asnjëherë. Jam shumë krenar. Kur kam parë familjen të lumtur, unë jam gëzuar edhe më shumë. Kam folur edhe me Atdhe Nuhiun, më ka folur shumë për Kosovën. Ai më ka treguar se si është të luash për Kosovën. Rrahjet e zemrës rriteshin edhe më shumë”.
Demaku nuk e di nëse do të jetë pjesë e “Dardanëve” për ndeshjet e nëntorit, kundër Rumanisë dhe Lituanisë. Ai thotë se varet nga procedura e kompletimit të dokumentacionit. Por thekson se do të jetë gati për ta dhënë maksimumin në fushë. Demaku para dy apo tre vjetësh kishte marrë vendim për ta përfaqësuar Kosovën.
“Unë me Bajram Shalën para dy apo tre vjetësh kam biseduar dhe kam thënë se dua të luaj për Kosovën, por ka qenë goxha problem për letrat. Tash është duke u kompletuar dokumentacioni për nënshtetësi. Uroj që të përfundojnë sa më shpejt. Dëshirën e kam të luaj në nëntor, por nëse nuk bëhet, duhet ta pres vitin 2025”, është shprehur ai.
Demaku qëndroi vetëm të hënën në Kosovë, ndërsa pas prezantimit me fanellën e Kosovës, është kthyer në klubin e Altachut. Ai uron të vijë sërish muajin tjetër. Me Kosovën ka ëndërr të paraqitet në ndonjë Evropian apo Botëror.
“Dua fillimisht ta vesh fanellën e Kosovës, të luaj në Prishtinë. Sa e kam përcjellë, Kosova është ekip me potencial me lojtarë të mirë dhe të rinj. Kualifikimi në Evropian apo Botëror është i arritshëm. Jam kohë të gjatë në futbollin profesionist. Të gjitha shtetet kanë lojtarë të mirë dhe ne duhet të luajmë mirë për të arritur qëllimet”, është shprehur Demaku.
Në një mënyrë, Demaku për herë të parë largohet nga Austria. Ai ka luajtur vetëm për klube austriake.
Si senior ka debutuar për Austrinë e Vjenës, ndërsa në vitin 2022 u transferua te Sturm Grazi. Për një periudhë ka qenë i huazuar në dy klube pak të njohura në Austri, ndërsa në verën e këtij viti iu bashkua Altachut. Me klubin elitar të Austrisë ka kontratë deri në vitin 2027. Ai synon në të ardhmen të bëjë lëvizje të madhe. Por deri tash thotë se vendimi për ta përfaqësuar Kosovën, është vendimi më i mirë në karrierë.
“Gjatë rrugës nga Prishtina për në Austri kam pasur kohë të mendoj. Kam shënuar gola, kam fituar lojë, kam asistuar, por kur pash gëzimin e familjarëve të mi, mendova se vendimi për ta përfaqësuar Kosovën është momenti më i mirë në karrierë”, ka thënë Demaku.
Kosovës këtë vit iu bashkuan edhe disa lojtarë të rinj. Demaku bashkë me lojtarët e tjerë të rinj vlerësohen e ardhmja e Kosovës.
Nuhiu: Veseli do ta rrisë kualitetin e mesfushës së Kosovës
Ish-sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka thënë se Vesel Demaku është vlerë e shtuar e “Dardanëve”. Ai ka thënë se Kosova do të rritet në cilësi me mesfushorin e Altachut. Nuhiu javë më parë u pensionua si futbollist, ndërsa ka nisur menjëherë punën si trajner. Është ndihmëstrajner tek Altachu. “Është djalë shumë i mirë. E do Kosovën me zemër. Është lojtar i ri, por me shumë përvojë në elitën e futbollit të Austrisë. Ka luajtur për klube të mëdha në Austri. Është lojtar i ri me potencial të madh. Është zhvilluar shumë mirë në tetë muajt e fundit dhe besoj që do ta rrisë shumë kualitetin e Kosovës në mesfushë”, ka thënë Nuhiu. 35-vjeçari Nuhiu, që ka bërë karrierë të suksesshme, për Kosovën ka shënuar tre gola në 19 ndeshje.