Lumbardh Dellova i ka shumë gjëra që vlerësohen në futboll. Njërën prej tyre e shfaqi të hënën mbrëma - supergolat.
Mbrojtësi 25-vjeçar shënoi gol të bukur në ndeshjen të cilën Kosova e fitoi 4:0 në Larnaca ndaj Qipros, në kuadër të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ai goditi fuqishëm për 4:0, në minutën e 55-të. Dellova u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Fidan Alitit.
Për Kosovën regjistroi paraqitjen e dhjetë. Por ai pret të luajë edhe më shumë me fanellën e “Dardanëve”.
“Jam shumë i lumtur për golin e parë. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë. Besoj se do të vazhdoj me gola të tjerë dhe ta ndihmoj me paraqitje të tjera të mira Përfaqësuesen e Kosovës”, ka thënë Dellova të martën për KOHËN.
Dellova është i kënaqur me paraqitjet që i ka bërë te Kosova. Vlerësime të larta mori edhe për paraqitjen ndaj Qipros të hënën mbrëma.
“Jam i kënaqur deri më tani me paraqitjet e mia. Por gjithmonë dua më shumë nga vetja”, është shprehur Dellova.
Ai insiston se do të punojë edhe më shumë për ta bindur selektorin e Kosovës, Franco Foda”, të paraqitet përkrah Amir Rrahmanit në qendër të mbrojtjes.
Partner i Rrahmanit nga minuta e parë në dy ndeshjet e këtij muaji ishte Fidan Aliti. Aliti luajti titullar edhe në humbjen turpëruese ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” të premten e shkuar.
Teknikut gjerman, Foda, i janë bërë thirrje publike nga njohës të futbollit në Kosovë për aktivizimin e Dellovës nga minuta e parë.
“Sigurisht se çdo lojtar ka dëshirë të ketë sa më shumë minuta në fushë. Por po ashtu duhet të respektohet vendimi i trajnerit. E respektoj çdo vendim të tij. E imja është që ta ndihmoj Përfaqësuesen e Kosovës dhe të jem i gatshëm gjithmonë për ta dhënë më të mirën në fushë”, ka shtuar ish-mbrojtësi i Ballkanit.
Më të mirën mund ta shfaqë më 12 tetor. Kosova luan ndaj Lituanisë në udhëtim, kurse tri ditë më vonë e pret në Prishtinë përfaqësuesen e Qipros.
Janë dy ndeshje ku Kosova pret t’i marrë pikët maksimale. Dellova ka theksuar se fitorja ndaj Qipros ka rritur motivin për ndeshjet e ardhshme të Grupit 2 të Ligës C. Synimi i Kosovës, sipas Dellovës dhe të tjerëve, është vendi i parë në grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë.
“Kjo fitore e ngrit moralin e ekipit shumë, sidomos pas asaj humbjeje nga Rumania. Besoj dhe shpresoj të jemi të parët në grup. Duke parë kualitetin që kemi brenda ekipit, pse të mos dalim të parët në grup”, ka thënë Dellova.
Dellova është pjesë e CSKA Sofjes. Ekipit elitar të Bullgarisë iu bashkua nga Ballkani i Suharekës.
Krahas supergolave, ai shquhet për ndërhyrjet, pasimet e sakta dhe qetësinë gjatë zotërimit të topit.