Brian Riemer do të jetë seleksionues i ri i Përfaqësueses së Danimarkës në futboll.
Trajneri danez në këtë detyrë e zëvendëson Kasper Hjulmandin, i cili u largua pas përfundimit të Kampionatit Evropian në këtë verë, ka shkruar të enjten Federata e Futbollit e Danimarkës.
46-vjeçari Riemer ka qenë pjesë e Copenhagenit dhe Brentfordit si asistent, ndërsa si trajner i parë e ka drejtuar Anderlechtin.
“Me Brian Riemerin, kemi fituar trajner energjetik e të përkushtuar. Pikëpamja e tij për futbollin na ka treguar se ai dëshiron t’i dominojë ndeshjet me futboll sulmues dhe teknik”, ka deklaruar drejtori i federatës daneze, Peter Moller.
Danezët kanë pasur suksese viteve të fundit në nivel të përfaqësueseve. Në “Euro 2020” ishin gjysmëfinalistë dhe humbën nga Anglia.
Në “Euro 2024” u eliminuan nga Gjermania në 1/8 e finales.