Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku ka shënuar golin e katërt në pesë ndeshjet e fundit për Rubin Kazanin në Rusi. Por Daku thotë se ende nuk ka marrë ftesë nga përzgjedhësi i Shqipërisë, braziliani Sylvinho për Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Daku të dielën shënoi golin e vetëm për Rubin Kazanin që humbi me rezultat 3:1 nga Spartak Moska, në ndeshjen që i takoi xhiros së 29-të të kampionatit rus. Goli i realizuar në minutën e 77-të me asistim të Dardan Shabanhaxhajt, për Dakun ishte i nënti në 32 ndeshje me fanellën e Rubin Kazanit.
“Kemi edhe një ndeshje dhe do të përpiqem të ndryshoj statistikat e mia. Këtu ndihem si në shtëpinë time. Nuk kam marrë ende ftesë nga Shqipëria për Evropian. Unë jam duke pritur dhe vetëm pas kësaj do të mund të flasim për të ardhmen time”, ka thënë Daku, raporton sajti rus “sovsport.ru”.
Daku mund të largohet gjatë verës nga Rubin Kazani. Interesimi për ish-sulmuesin e Kosovës është i madh. Drejtori i përgjithshëm i klubit nga Kazani, Alexander Aibatov ka konfirmuar se interesimi për Dakun është i madh. Por vendimi për të ardhmen e Dakuyt, Aibatov thotë se do të merret më vonë.