Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, nuk do të largohet nga skuadra e Rubin Kazanit. Ai do të mbetet pjesë e Rubin Kazanit të paktën deri në fund të edicionit aktual të elitës së futbollit të Rusisë. Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, ka thënë se çmimi i ofruar, nuk përputhet me kërkesat e klubit.
“Daku duhet ta ruajë nivelin e tij dhe të mos mendojë për interesimin e klubeve tjera”, ka theksuar trajneri i Rubin Kazanit, shkruajnë medie të ndryshme ruse.
Ai ka shtuar se Dakut i është dhënë edhe një ditë më shumë pushim pas ndeshjeve të përfaqësueseve. Sipas tij, stafi i klubit do ta shikojë gjendjen e sulmuesit përpara ndeshjes së xhiros së tetë të Premier Leagues së Rusisë kundër Krylya Sovetov Samara.
Është raportuar se Krasnodari dhe Spartaku ishin të gatshme t’i shpenzojnë 10 milionë euro për Dakun. Por klubi kërkon të paktën 12 milionë euro për shitjen e sulmuesit kosovar. Daku iu bashkua në verën e vitit 2023 Rubin Kazanit nga Osijeku për 1.2 milionë euro. Ai në 40 ndeshje ka shënuar 15 gola për Rubin Kazanin. Edhe Fehmi Daku, ka thënë se djali i tij Mirlindi, nuk ka qenë i njoftuar për interesimin e Krasnodari dhe Spartakut.