Futboll

Daku ka shpresa se do të jetë në listën e Sylvinhos për Evropian

Mirlind Daku

Mirlind Daku nuk ishte ftuar për ndeshjet miqësore të muajit mars që Shqipëria i zhvilloi kundër Kilit dhe Suedisë. Nga Kili, Shqipëria kishte pësuar humbje në stadiumin e Parmas, 3:0. Humbje pësoi edhe në udhëtim te Suedia, 1:0.

Për këto dy ballafaqime, në grumbullim nuk ishte i përfshirë sulmuesi i Rubin Kazanit, që ka gjetur formën në ndeshjet e fundit. Mungesën për duelet miqësore të marsit, Daku thotë se e ka marrë me sportivitet.

Shtatlarti ka dhënë një intervistë për mediumin rus “metaratings.ru”. Ai ka theksuar se i duhet ende punë për ta bindur selektorin e Shqipërisë, Sylvinho.

“Edhe pse nuk jam ftuar në grumbullimin e fundit, jam munduar që të shoh vetëm anën pozitive. Gjithmonë e jap më të mirën për Shqipërinë dhe do të mundohem ta bëj të pamundurën për ta ndihmuar ekipin. E di se kam kualitete të mira dhe e di se e kam ndihmuar skuadrën që siguroi Evropianin. Por për të shkuar në Gjermani, ende duhet të punojë shumë. Kështu që gjëja më e rëndësishme për mua është ta përfundojë edicionin sa më mirë që është e mundur me Rubinin”, ka deklaruar ish-futbollisti i Kosovës, të dielën.

Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në Kampionat Evropian për herën e dytë në histori.

“Kuqezinjtë” do të luajnë në Grupin B ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Para ndeshjeve të Evropianit, Shqipëria do t’i ketë edhe dy miqësore në muajin qershor, kundër Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit.

Daku ka folur për kundërshtarët e Evropianit, por ende nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen pasi konkurrenca në fazën e sulmit te Shqipëria është shumë e madhe. Megjithatë vendimi i UEFA-s për rritjen e numrit të lojtarëve nga 23 në 26, mund të jetë shpresë për ish-sulmuesin e disa skuadrave në Kosovë.

Forma e Dakut në tri ndeshjet e fundit ka qenë shumë e mirë. Ai ka realizuar dy gola e dy asistime, ndërsa ka gjithsej shtatë gola e katër asistime në 29 paraqitjet e të gjitha garave të edicionit aktual në Rusi.

Në Rusi po flitet që Daku mund të ndryshojë ambient pas përfundimit të këtij edicioni. Interesim për të kanë shprehur disa skuadra, por ai ka thënë se është i përqendruar vetëm te Rubin Kazani. Disa skuadra nga Moska janë përmendur si destinacion i gjilanasit.

“Është mirë kur skuadrat shfaqin interesim. Po, kam dëgjuar për disa spekulime, por për momentin jam i fokusuar te Rubini. Kam shumë respekt për këtë klub dhe për njerëzit që punojnë këtu. Ende kemi katër ndeshje deri në fund të edicionit. Kështu që gjithçka lidhet me këtë. Do të doja ta ndihmoja Rubinin që ta fitojë vendin më të lartë të mundshëm në kampionat”, është shprehur Daku, që është i nominuar për t’i fituar disa çmime në Rusi, në një konkurrencë shumë të gjerë.

Rubin Kazani aktualisht është në pozitën e nëntë të kampionatit rus me 37 pikë.

Por skuadrat ruse nuk luftojnë për të arritur ndonjë vend në garat evropiane, pasi janë të suspenduar nga UEFA, shkaku i pushtimit rus të Ukrainës.