Sulmuesi Mirlind Daku mund të largohet së shpejti nga Rubin Kazani, ka shkruar sajti rus “Business-Online”, të mërkurën.
Sipas burimeve të këtij mediumi, njëri prej klubeve nga Moska ka kontaktuar Rubinin në afatin kalimtar të dimrit dhe ishte i gatshëm të paguaj 7 milionë euro për Dakun. Por Rubin Kazani, që po ashtu luan në elitën ruse, refuzoi ofertën.
Mediume të ndryshme në Rusi kanë shkruar ndërkohë që klubi i interesuar për kosovarin është Spartaku i Moskës.
Në fakt pesha e futbollit të Rusisë ka humbur goxha shumë në vitet e fundit. Për shkak të pushtimit të Ukrainës, klubet ruse nuk lejohen të paraqiten në gara evropiane. Dhe kjo ka bërë që vlera e futbollit në Rusisë të bie.
Shumë lojtarë cilësorë të huaj u larguan nga Rusia pasi ky vend nisi pushtimin e Ukrainës, dy vjet më parë. Por një pjesë e të huajve mbetën në Rusi, ndërsa të tjerë u transferuan ndërkohë.
Daku 26-vjeçar, u transferua te Rubin Kazani në verën e vitit të kaluar nga Osijeku kroat për 1 milion euro. Tek Rijeka kishte luajtur pak, ndërsa ishte i huazuar te Mura në Slloveni. Sulmuesi kosovar ka pesë gola e dy asistime në 19 paraqitje në kampionatin e Rusisë.
Në fundjavë, në fitoren 2:1 të Rubin Kazanit ndaj Akhmat Groznyt, Daku kishte një gol e një asistim. Por trajneri Rashid Rakhimov nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e tij.
Ai u pyet pas ndeshjes nëse paraqitja e Dakut ishte e suksesshme, marrë për bazë që shënoi gol dhe asistoi.
“Jo. I thash që kjo nonshalancë e caktuar është e papranueshme. Duhet t’i trajtojmë rastet më me kujdes, pasi ato krijohen nga i gjithë ekipi dhe sulmuesi duhet t’i realizojë. Edhe goli e asistimi nuk mjaftojnë. Kishte edhe shumë raste të tjera”, ka thënë Rakhimov për Match TV, pas ndeshjes me Akhmatin.
Kishte shumë diskutime pasi Daku mbeti jashtë ekipit të Shqipërisë për ndeshjet e marsit. Mbetet të shihet nëse ai do të përzgjidhet për Euro 2024. Por deklarata e trajnerit të Rubin Kazanit sigurisht që nuk do t’i shërbejë sulmuesit.