Futboll

Daja prezantohet te Dinamo pa shumë bujë e premtime

Ilir Daja

Trajneri Ilir Daja nuk kishte dhënë premtime të mëdha në paraqitjet e tij të para në mediat në Kosovë, pasi mori drejtimin e Ballkanit dy vjet më parë. 

Premtime të mëdha nuk dha as të mërkurën gjatë prezantimit si trajner i Dinamos së Tiranës.
Daja ka disa ditë që ka nisur punën me skuadrën nga kryeqyteti i Shqipërisë, por vetëm të mërkurën është prezantuar zyrtarisht nga Dinamo.

Prezantimi i Dajës në krye të skuadrës tiranase u bë një ditë para derbit me Partizanin.

“Rikthehem në shtëpi dhe nuk kam nevojë për prezantim. Pavarësisht se është një kohë e gjatë, kam të njëjtat emocione si kur isha lojtar i kësaj skuadre. Falënderoj presidentin Bardhi që më riktheu në shtëpi. Dinamon e gjej në Superiore dhe me një kompleks të ri. Do të përpiqemi të krijojmë një grup stabil dhe kemi nisur bashkëpunimin për të afruar lojtarë me kontrata afatgjata", ka thënë Daja në konferencë për media.

Ai ka folur edhe për ndeshjen që Dinamo do ta zhvillojë kundër Partizanit. 

Ndeshjen ndaj Partizanit, Daja e cilëson shumë të vështirë. Para se t’i bashkohej Ballkanit, ai punoi në skuadrën e Partizanit. Në Shqipëri ka drejtuar edhe Pogradecin, Elbasanin, Besën e Kavajës, Tiranën dhe Skënderbeun e Korçës. Edhe me korçarët pati sukses në Evropë, kurse me Ballkanin shkroi histori.
“Koha ka qenë e paktë, do të jetë ndeshje e vështirë. Partizani ka ruajtur boshtin, disa lojtarë i kam stërvitur edhe vetë, kanë aftësi individuale të bëjnë dëm”, tha 57-vjeçari. 

Daja mori drejtimin e Ballkanit në janar të vitit 2022. E ka udhëhequr skuadrën suharekase drejt tre titujve të kampionit të Kosovës. Me Dajën në krye, Ballkani ka arritur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe madje ka synuar avancimin në fazën nokaut.

Ballkani me Dajën në krye ka fituar edhe një kupë dhe një superkupë të Kosovës.

Po ashtu, gjatë periudhës sa Daja ishte në krye, klubi suharekas ia doli të shesë lojtarë të shumtë, ndërsa ka zbuluar edhe shumë të tjerë. Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Meriton Korenica, Lumbardh Dellova, Qëndrim Zyba, Albin Berisha janë prej lojtarëve që janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e Dajës e tashmë janë pjesë e klubeve evropiane.

Ballkani gjatë verës mbeti pa shumë lojtarë titullarë. Nuk ia doli të paraqitet me sukses në kualifikimet e Ligës së Kampionëve e më pas në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Dhe Daja javë më parë vendosi të largohet.

Daja në letrën e tij falënderuese ka lënë të hapur mundësinë të punojë sërish në Kosovë.