Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është i lumtur me kalimin në finale të Kupës së Kosovës. Por trajneri Daja thotë se do të kënaqeshin nëse do ta fitonin trofeun e Kupës.
Ballkani në gjysmëfinale eliminoi Suharekën. “Pas rezultatit 2:0 e ulëm ritmin pas lodhjes që lojtarët e patën në ndeshjen që e patëm para tre-katër ditësh. E rrezikuam pak kalimin në finale, por falënderojmë Suharekën që luftoi deri në fund të ndeshjes. Bëri diçka të bukur. Na vjen mirë që jemi finalist. Nuk kënaqemi pasi po nuk e ngrite Kupën, shkon dëm gjithë djersa e derdhur për të arritur deri në finale”, ka thënë Daja.
Ndërkohë, trajneri i Suharekës, Arsim Thaqi ka vlerësuar paraqitjen ndaj Ballkanit. Ai ka thënë se Suhareka nuk do të njoh limite.
“Ajo që na ka penalizuar sa i përket rezultatit është konsiderata që e kemi pasur ndaj Ballkanit. E kemi respektuar më shumë. Po të mos i bënim respekt kaq të madh ndoshta do të shkonim në finale. Kemi bërë paraqitje të mirë, sidomos në momentet e fundit. Neve na mbetet të luftojmë në kampionat dhe shpresojmë të jemi në Superligë në edicionin tjetër. Kjo skuadër nuk do të ketë limite duke i njohur investitorët. I falënderoj të gjithë për profesionalizmin dhe lojtarët për paraqitjen”, ka thënë trajneri Thaqi pas ndeshjes për “ArtMotion”.