Futboll

Daja: Na ndihmoi epërsia e hershme

Ilir Daja

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se Ballkanit kundër Dukagjinit i ndihmuan dy golat e shënuar në 25 minutat e para të ndeshjes.

Lindon Emërllahu dhe Edvin Kuç shënuan në minutën e gjashtë dhe në minutën e 24-t për epërsinë 2:0.

“Do të thosha se ishte fillim i mirë, sepse në 25 minutat e para kishim dy gola avantazh. Në pjesën e dytë pastaj edhe Dukagjini kishte situatat e veta. Pozitiv është fakti se jemi në vendin e parë. Vetëm një javë e humbëm këtë vend. Lojtarët që janë aktivizuar sot do na shërbejnë për katër ndeshjet e fundit. Duke e pasur kontingjentin e plotë të lojtarëve, gara është në dorën tonë. Të gjithë lojtarët që u aktivizuan sot, përveç Karricës që ka më pak minutazhë, gjithë të tjerët kanë qenë edhe titullar. Ne kërkonim që sot të ishim me përqendrim maksimal sepse po e humbëm përqendrimin, nuk ka kohë për rikuperim. Nuk kemi asnjë të lënduar dhe asnjë me karton”, ka thënë trajneri Daja ndër të tjera pas ndeshjes për “ArtMotion”.

Nga ana tjetër, trajneri Armend Dallku u shpreh se energjia e shpenzuar në duelin e kaluar kundër Dritës në barazimin 1:1, ndikoi në rezultatin në Suharekë.

“Kishim lodhje për këtë ndeshje. Kishim edhe shumë lojtarë jashtë me probleme fizike, por kishim edhe lojtarë që rrezikonin kartonët. Në xhiron e ardhshme kemi ndeshje të rëndësishme. Nuk jam i kënaqur me golat e pranuar. Ne e kishim përgatitur mirë ndeshjen. Jemi munduar të qëndronim më afër kundërshtarëve. Kishim raste të mira në pjesën e parë dhe momente të mira, por nuk konkretizuam gola. Kemi ndeshje të radhës thuajse vendimtare dhe do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Më të mirët në aspektin fizik do të luajnë. Do ta bëjmë më të mirën për të marrë rezultat maksimal dhe të jemi më të qetë”, ka deklaruar Dallku.