A meriton Albert Dabiqaj të ftohet nga Kosova?
Kjo pyetje ka kohë që bëhet, pas paraqitjeve dhe golave të Dabiqajt me fanellën e Dritës së Gjilanit, por edhe te skuadrat e kaluara.
Golat e fundit Dabiqaj i shënoi të hënën. Ai realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1 të Dritës ndaj Llapit, në ndeshjen e fundit tës xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll.
“Derisa ka lojtarë që ftohen nga Superliga dhe nuk luajnë në ekipet e tyre, unë mendoj se Dabiqaj, si bartës i sukseseve të Dritës, pa diskutim meriton ftesën. Nëse në këtë moment meriton dikush të ftohet, atëherë ai është Dabiqaj”, tha drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, të hënën për KOHËN.
Derisa Zymberi është i drejtpërdrejtë, Dabiqaj thotë se vendimi për t’u ftuar te Kosova i takon selektorit.
“Të gjithë lojtarët që janë ftuar nga klubet e Superligës kanë dëshmuar se janë ftuar me meritë. Nuk vendosi unë, por nëse vazhdoj deri në mars kështu, mendoj se meritoj të ftohem”, thotë Dabiqaj për KOHËN.
Qartë se ftesa do ta gëzonte shumë.
“Nuk do të ishte pak një ftesë nga Kosova. Për mua do të ishte ëndërr e realizuar”, është shpreur një prej mesfushorëve më të dalluar në vitet e fundit në futbollin e Kosovës.
Drejtori i Dritës, Zymberi beson se Dabiqaj do të vazhdojë me formë të lartë deri në fund të edicionit, të cilin gjilanasit synojnë ta mbyllin si kampionë.
“Drejtuesit e Federatës, nëse duhet t’i vlerësojnë lojtarët e Superligës, është momenti ideal. Trajneri po i përcjell ndeshjet e Superligës dhe Dabiqaj ka dëshmuar veten. E ka dëshmuar nga ndeshja e parë dhe ka treguar se është i padiskutueshëm. Unë nuk besoj se ka inate. Uroj që një ftesë për t’u përfshirë te Kosova do të na dëshmojë të kundërtën. Do ta vërtetonte se nuk është ajo qasje. Forma e tij do të ishte dëshmi se në Federatë nuk i shohin lojtarët se për cilat klube luajnë”, është shprehur Zymberi.
28-vjeçari iu bashkua Dritës në verën e vitit të kaluar. Ai është i lumtur me formën që po kalon këtë edicion.
“Nga fillimi i përgatitjeve, mendimi im dhe i ekipit ka qenë shpallja kampion. Jemi në rrugën e duhur. Na duhet ta rrisim nivelin e punës dhe të shpallemi kampion”, ka theksuar Dabiqaj. “Golat ta japin lumturinë më të madhe. Por kur shënon dhe ekipi nuk fiton, golat nuk kanë vlerë. Për mua më e rëndësishme është fitorja e ekipit. Është meritë e gjithë skuadrës. Te goli të duhet ndonjëherë edhe fati. Ekipi po luan ashtu siç duhet. Fitorja me golat e mia më jep gëzim të dyfishtë. Uroj të shënoj tjerë gola dhe ta ndihmoj ekipin. Por nëse shënoj tre gola dhe humbim 4:3 nuk ka vlerë”.
Dabiqaj ishte vendimtar edhe në dy derbit e kaluar, kundër Ballkanit dhe Prishtinës. Ndaj Ballkanit pati shënuar golin e fitores 1:0, ndërsa kundër Prishtinës i realizoi dy gola në fitoren 3:0. Dy gola i ka shënuar edhe ndaj Suharekës, në mars dhe para pesë ditësh.
“E kam ndjerë golin gjithmonë edhe pse jam mesfushor”, ka theksuar Dabiqaj, i njohur edhe si “Dabi”.
Ai thotë se aktualisht është duke kaluar formën më të mirë në karrierë.
“Arritja më e madhe është shpallja kampion me Feronikelin, momenti më i mirë është kalimi tutje duke eliminuar Audën, kurse aktualisht jam duke kaluar formën më të mirë. Por nëse nuk shpallemi kampion, nuk ka vlerë aspak”, ka thënë Dabiqaj.
Dabiqaj është prej lojtarëve meritorë që Drita ndodhet në vendin e parë me 31 pikë. Kampioni i Kosovës, Ballkani është në vendin e dytë me 26 pikë, ndërsa Malisheva është në vendin e tretë me 25 pikë.
“Mendoj se mund të shpallemi kampionë. Kemi garë të ashpër me Malishevën dhe Ballkanin. Por nuk do të dorëzohemi deri në fund dhe të shpallemi kampionë”, ka thënë Dabiqaj.
Dabiqaj është paraqitur me shumë sukses edhe me fanellën e Gjilanit e po ashtu edhe Feronikelit dhe Besës së Pejës.