Epiteti i lojtarit më të mirë të javës së 14-t në Superligën e Kosovës në futboll i ka takuar mesfushorit të Dritës, Albert Dabiqaj.
Komisioni i veteranëve të futbollit e ka vlerësuar Dabiqajn si më të mirin pas paraqitjes që e pati ndaj Llapit të hënën.
Ai realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1 të Dritës ndaj Llapit.
“Kishim një ndeshje mjaft të vështirë, me Llapin u kthyem nga disavantazhi në 3:1. Të kthesh rezultatin nuk është aspak e lehtë. Personalisht, si Dabiqaj, ky ishte ‘hat-tricku’ i parë në karrierën time në Superligë dhe ky është një moment i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur me ecurinë e skuadrës dhe duhet të vazhdojmë kështu. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, sepse pa ta nuk do të kaloja në këtë formë”, ka thënë Dabiqaj për faqen zyrtare të FFK-së.