Futboll

Conte: Nuk është hera e parë që jemi në krye të tabelës

Antonio Conte

Me fitoren e së dielës mbrëma Napoli u bë sërish lider në Serie A. 

Napolitanët e mposhtën Torinon në shtëpi me rezultatin 2:0 në ndeshjen që i takoi javës së 34-t. Napoli e shfrytëzoi gabimin e Interit, që u mposht nga Roma me rezultatin 1:0, dhe tashmë e mban pozitën e parë me 74 pikë. Tri pikë më pak i ka Interi në pozitën e dytë. 

Tekniku italian, Antonio Conte, deklaroi se për Napolin nuk është hera e parë që këtë edicion bëhet lider. 

“Nuk është hera e parë që jemi në krye të tabelës. Ne kemi qenë në krye më shumë se kushdo tjetër këtë edicion. Ne edhe matematikisht e kemi siguruar Ligën e Kampionëve, një objektiv shumë i rëndësishëm ekonomik për klubin dhe ne duhet ta shijojmë këtë. Kemi pasur një mbrëmje të çuditshme. Nuk e kam parë Interin. Para ndeshjes u thashë futbollistëve se asgjë nuk kishte ndryshuar dhe se ne duhej të fitonim”, ka thënë Conte, shkruajnë të hënën mediumet italiane. 

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe katër xhiro. 

Napoli në ndeshjet e ardhshme do të takohet me Leccen, Genoan, Parman dhe Cagliarin.