Manchester City e ka transferuar futbollistin e krahut, brazilianin Savinho, nga skuadra franceze Troyes. Lajmi është konfirmuar të enjten nga klubi i Premier Leagues angleze. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029, ndërsa transferimi i ka kushtuar Cityt 40 milionë euro.
20-vjeçari pati paraqitje shumë të mira te Girona si i huazuar, në edicionin e kaluar.
Girona përfundoi në vendin e tretë në La Liga.
Savinho ka thënë se City momentalisht është skuadra më e mirë në botë, ndërsa trajnerin Pep Guardiola, e ka vlerësuar si njërin prej më të mirëve në histori. Savinho, i cili njihet edhe si Savio, karrierën e nisi te skuadra braziliane, Atletico Mineiro, ndërsa Troyesit i ishte bashkuar në vitin 2022.
Si i huazuar ka luajtur edhe te PSV Eindhoveni, në edicionin 2022-23. Me Gironan, Savinho ka shënuar 11 gola dhe ka kontribuuar me 10 asistime në të gjitha garat.
Me Brazilin debutoi në muajin mars kundër Anglisë, kurse golin e parë me fanellën braziliane e shënoi kundër Paraguait në fazën grupore të Kupës së Amerikës.