Manchester City dhe Manchester Unitedi do të takohen në finale të Kupës FA, të shtunën nga ora 16:00.
Finalja do të zhvillohet në stadiumin “Wembley” dhe tashmë të gjitha biletat janë shitur.
City synon të shkruajë më shumë histori, ndërsa Unitedi kërkon shpëtimin e sezonit thuajse të dështuar.
Trajneri Pep Guardiola dëshiron që trofeut të titullit në edicionin aktual, t’ia shtojë edhe trofeun e Kupës FA.
Të dy trofetë, City i kishte fituar edhe në edicionin e kaluar.
Në stadiumin nacional, Unitedi hyn me spekulimet për largimin e trajnerit Erik ten Hag.
Unitedi edicionin në Premier League e mbylli në vendin e tetë, me 31 pikë më pak se kampioni City.
Ishte edicioni më i dobët i Unitedit, ndërsa është në rrezik edhe të mos marrë pjesë në garat e UEFA-s në edicionin e ardhshëm.
Unitedi duhet ta fitojë Kupën FA për të avancuar në Ligën e Evropës.
Për “qytetarët” e drejtuar nga Guardiola do të jetë ndeshja e 58-të në këtë kampanjë, përfshirë ballafaqimet në Superkupën e Evropës dhe dy ndeshjet e Kupës së Botës për Klube në Arabinë Saudite.
City vlerësohet favorit para këtij ballafaqimi pasi i ka fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit me rivalen lokale.
City shkroi historinë në Angli duke fituar katër tituj rresht në Premier League.
Dy trofetë kryesorë në vend, City synon t’i fitojë për herën e tretë.
Një gjë të tillë e kishte arritur vetëm Manchester Unitedi dhe Arsenali.
Kjo është hera e parë që prej vitit 1885 që në finale të Kupës FA do të luajnë dy skuadra të njëjta, për dy edicione rresht.
Vitin e kaluar, City fitoi 2:1, ndërsa e kishte fituar edhe Premier Leaguen dhe Ligën e Kampionëve.