Futboll

City sfidohet nga Fulhami

Manchester City

Dy barazime rresht kanë bërë që Manchester City ta humbë pozitën e parë në tabelën e Premier Leagues. Pas xhiros së gjashtë, kampioni në fuqi është i dyti me 14 pikë, sa i ka edhe Arsenali. Lider është Liverpooli me 15 pikë.

City fillimisht barazoi 2:2 me Arsenalin e më pas 1:1 me Newcastlen. Në mesjavë, ashtu si pritej, fitoi pa telashe ndaj Slovan Bratislavës në Champions, 4:0.

Dukshëm ndeshje më të vështirë, Manchester City do të ketë të shtunën nga ora 16:00. Skuadra e Pep Guardiolas e pret Fulhamin. Ndeshja i takon xhiros së shtatë të kampionatit anglez.

Fulhami mblodhi 11 pikë në gjashtë ndeshjet e para dhe renditet i gjashti. Në dy xhirot e kaluara fitoi ndaj Nottinghamit dhe Newcastlet.

Liverpooli po ashtu ka sfidë serioze në fundjavë. Të shtunën nga ora 13:30, në ndeshjen e parë të xhiros, luan në udhëtim ndaj Crystal Palace,  që është në pjesën e poshtme të tabelës me vetëm tri pikë.

Të shtunën nga ora 16:00, Arsenali e pret Southamptonin, që e ka vetëm një pikë.

Aston Villa, pas fitores ndaj Bayernit në Champions, do të mundohet ta thellojë krizën e Manchester Unitedit, që assesi të këndellet. Kjo ndeshje, që mund të jetë më interesantja e xhiros, zhvillohet të dielën nga ora 15:00. Në termin të njëjtë është takimi Chelsea – Nottingham, ndërsa Brightoni e pret Tottenhamin, të dielën nga ora 17:30.