Manchester City ka shfaqur fytyrën e kampionit të dielën, pas fitores 6:0 në udhëtim tek Ipswichi.
Ndeshja i ka takuar xhiros së 22-të të Premier Leagues angleze, ndërsa ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola e regjistroi fitoren e katërt në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Phil Foden i shënoi dy gola në pjesën e parë, ndërsa Mateo Kovaçiq e realizoi një tjetër për rezultatin 3:0 në pjesën e parë.
Jeremy Doku, Erling Haaland dhe James McAtee, shënuan në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Gjashtë gola e më shumë në një ndeshje të Premier Leagues nën drejtimin e Guardiolas, Manchester City i ka shënuar për herën e 13-të.
Të njëjtën statistikë e kishte edhe Arsenali i drejtuar nga Arsene Wenger.
Rekordin e mban Manchester Unitedi i Alex Fergusonit, që ka realizuar në 14 ndeshje nga gjashtë e më shumë gola në elitën angleze.
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, mbeti sërish në bankën rezervë tek Ipswichi, që vazhdon garën për mbijetesë. I ka vetëm 16 pikë në vendin e 18-të, që nuk siguron mbetjen në Premier League.
City, që ka mbetur prapa në garën për titull, ka 38 pikë në vendin e katërt, aq sa ka edhe Newcastle në pozitën e pestë.