Futboll

City fiton dhe i afrohet kreut të tabelës

Manchester City

Foto: Associated Press

Manchester City e ka fituar ndeshjen e mbetur të xhiros së 29-të të Premier Leagues dhe i është afruar Arsenalit lider në vetëm një pikë. 

City të enjten mbrëma fitoi thellë në udhëtim te Brightoni me rezultatin 4:0. 

Kevin De Bruyne e hapi serinë e golave në minutën e 17-të. 

Ai realizoi golin e tij të parë në Premier League me kokë, pas harkimit të Kyle Walkerit. 

Më pas, në skenë doli i talentuari Phil Foden që shënoi dy gola. 

Në minutën e 26-të falë edhe një devijimi realizoi për 2:0, ndërsa në minutën e 34-t, plasoi bukur topin nga zona pas gabimit që bënë lojtarët vendës në mbrojtje. 

Në minutën e 62-të, golin për 4:0 e shënoi sulmuesi argjentinas, Julian Alvarez. 

City ka 76 pikë dhe zë vendin e dytë, një më pak se Arsenali që kryeson tabelën, por që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. 

City ndeshjen e mbetur të xhiros së 34-t e ka kundër Tottenhamit në udhëtim. 

Tottenham – Manchester City zhvillohet më 14 maj.