Futboll

City akuzohet se shtyu mbrojtësin ta shkëpus kontratën

Juma Bah

Real Valladolidi e ka akuzuar Manchester Cityn se e ka shtyrë njërin prej lojtarëve ta shkëpus kontratën, në mënyrë që ta transferojë me çmim më të lirë. 

Mbrojtësi Juma Bah i ka thënë klubit spanjoll të martën se dëshiron të largohet nga skuadra. 

City të martën në mëngjes e kishte pyetur klubin spanjoll nëse e ka të mundur të niste negociatat për transferimin e plotë të 18-vjeçarit, ka shkruar Valladolidi në komunikatën zyrtare. 

Bah nuk është paraqitur në stërvitje të mërkurën, ndërsa Federata e Futbollit të Spanjës ka konfirmuar se e ka kërkuar shkëputjen e kontratës. 

“Klubi konsideron se Manchester City qëndron prapa vendimit të lojtarit dhe e ka udhëzuar lojtarin ta marrë këtë rrugë”, ka shkruar klubi i La Ligas. 

Bah i ka 14 paraqitje në edicionin aktual. 

Te Valladolidi ai u transferua përfundimisht në fillimin e këtij muaji nga AIK Freetongu i Sierra Leones për 125 mijë euro.