Futboll

Cilat vende nuk janë prezantuar asnjëherë në Champions?

Champions

Pasi numri i skuadrave pjesëmarrëse në Champions është rritur në 36,  gjasat për kualifikim të ekipeve “ekzotike” pritet të rriten. Por, katër skuadrat debutuese të këtij edicioni janë nga top-ligat. 13 vende presin ende

Nuk ka pasur shumë befasi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Për 13 vendet anëtare të UEFA-s që nuk kanë pasur asnjëherë ekip në garën elitare evropiane pritja vazhdon. Përmes kualifikimeve vetëm ekipe që ishin më parë në Ligën e Kampionëve kanë prerë biletën.

Bodo/Glimti norvegjez ishte ekipi i vetëm në plejof që nuk ishte paraqitur më parë në Champions. Por kampioni norvegjez u eliminua pa arritur në fazën e ligës, që e zëvendëson fazën grupore.

Bodo/Glimt që është nga Bodo, qytet që ndodhet në provincën norvegjeze Nordland, do të kishte qenë  klubi më verior nga të gjithë pjesëmarrësit e mëparshëm në Champions. Klubet e tjera tani të paktën janë të kursyera nga udhëtimet e shtrenjta e të gjata për në veri të Skandinavisë.

Në hartën e Championsit shfaqen katër klube të reja nga top-pesë ligat evropiane të futbollit. Bëhet fjalë për klube që bënë sensacion në ligat vendore në kampionatin e kaluar dhe kështu u kualifikuan në Champions.

Në Itali, Bologna kishte edicion të jashtëzakonshëm dhe përfundoi e pesta. Pasi Serie A fitoi një vend shtesë në Champions, Bologna mund të debutojë në garën elitare kontinentale të mërkurën.

Stade Brest impresionoi në Francë. Në minutën e fundit të kampionatit, Bresti kaloi Lillen dhe përfundoi i treti. Kjo skuadër përfitoi nga reforma në Champions. Ndryshimi i formatit nënkupton që top-tri skuadrat e Ligue 1 tani kualifikohen direkt në Champions.

Në Premier League, Aston Villa la prapa skuadrat që tradicionalisht u paraqitën në Champions si Tottenham Hotspur, Chelsea e Manchester United. Aston Villa po ashtu paraqitet për herë të parë në Ligën e Kampionëve.

Nga La Liga debutante është Girona. Kjo skuadër ishte e treta në edicionin e kaluar, më lart se Atletico Madridi.

Bundesliga prezantohet me Bayer Leverkusenin, Stuttgartin, Bayernin, Leipzigun dhe Dortmundin. Liga gjermane gjithnjë ka ofruar ekipe të befasishme për Champions. Vjet, për shembull, ishte Union Berlini. Unioni u bë ekipi i 15-të nga Gjermania që ka luajtur në garën elitare evropiane. Asnjë vend tjetër nuk ka kaq shumë ekipe pjesëmarrëse në histori të garës.

Sërish mbesin 13 vende që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në Ligën e Kampionëve: Shqipëria, Andorra, Armenia, Bosnjë-Hercegovina, Estonia, Ishujt Faroe, Gjeorgjia, Gjibraltari, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, San Marino dhe Uellsi.