Futboll

Celina flet për fillimin e furishëm tek AIK-u

Bersant Celina

Futbollisti kosovar, Bersant Celina, ka luajtur rol të rëndësishëm tek AIK-u në katër ndeshjet e para të edicionit aktual në elitën e futbollit suedez.

Celina 28-vjeçar është i lumtur që ka kontribuar me dy gola dhe një asistim. Gjashtë pikë, AIK-u i fitoi falë golave të Celinës. AIK-u kryeson tabelën me dhjetë pikë.

“E kam nisur fuqishëm pas lëndimit dhe tani dua të vazhdoj me formën e mirë dhe të bëhem edhe më i fortë. Do të thotë shumë të ndihmosh ekipin. Dua të vazhdoj tutje duke mos menduar shumë”, ka thënë Celina për mediumin suedez “Fotbollskanalen”.

Celina ishte huazuar fillimisht nga Dijoni tek AIK-u në verën e vitit 2023. Pas paraqitjeve të mira, AIK-u vendosi ta blejë Celinën nga skuadra franceze. Me AIK-un ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.