Federata Shqiptare e Futbollit u përball me reagime të ashpra pas zyrtarizmit të kandidaturës së përbashkët me Federatën e Futbollit të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 të vitit 2027.
I ashpër ishte të mërkurën edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Hajrulla Çeku.
Ministri Çeku ka thënë se arsyetimi që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha ditë më parë se Kosova nuk i plotëson kriteret, nuk qëndron. Çeku ka theksuar se as Serbia aktualisht nuk është e gatshme.
“Reagime kishte shumë. Natyrisht unë shpresoj që ato nuk dëmtojnë raportin shumë të mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë në shumë fusha, përfshirë edhe në sport. Mirëpo, pak më shumë korrektësi do të ishte më mirë në këtë rast. Të paktën komunikimi të kishte ekzistuar me kohë, ne të ishim të informuar, ne ta kishim versionin tonë të transmetuar qartë në anën tjetër. Ajo çfarë ndodhi pas atij lajmi ishin informatat se edhe Serbia në fakt nuk është ende e gatshme me infrastrukturë të futbollit për këtë organizim të vitit 2027 dhe ata tek tani janë duke investuar në disa stadiume për t’u bërë gati. Prandaj arsyetimi se Kosova nuk është e gatshme nuk qëndron, sepse po del që as Serbia nuk qenka e gatshme për atë lloj organizimi”, ka thënë Çeku për “Kosovapress”.
Kosova aktualisht nuk e ka asnjë stadium të gatshëm për një aktivitet të tillë kontinental. Ministri Çeku të premten shkroi se për dy vjet në Kosovë do të jenë të paktën katër stadiume të nivelit të lartë, të gatshëm për lojë. Me katër stadiume moderne, që do të hapen para “Evropianit Shqipëri – Serbi”, sipas premtimit të Çekut, Kosova do të mund të ishte partnere e Shqipërisë për organizmin e “Euro 2027” për futbollistët deri në 21 vjet.
Ministri Çeku ka theksuar se edhe Kosova kishte opsione të tjera për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Por, sipas tij, Shqipëria mbetet gjithmonë opsion i parë për Kosovën.
“Sa herë Kosova tenton të organizojë një ngjarje ndërkombëtare, adresa jonë e parë është Shqipëria. Këtë e kemi treguar edhe në Lojërat Mesdhetare dhe jo vetëm dje. Të jemi shumë të hapur tani, për Lojërat Mesdhetare ne kishim nevojë për një shtet partner që kishte dalje në det dhe teknikisht kishte edhe opsione të tjera, por ne asnjëherë nuk kemi menduar për to, për ne Shqipëria ka qenë partner i natyrshëm, prandaj kemi shkuar vetë dhe kemi insistuar që Shqipëria të jetë partneri i Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Të paktën i njëjti komunikim nuk ka ndodhur në rastin e aplikimit për U21 në futboll 2027 nga ana e Shqipërisë”, është shprehur Çeku.
Ai ka shtuar se nuk kanë pasur asnjë informatë për aplikimin e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë, ndërsa ka insistuar se Kosova është duke punuar me dinamikë të lartë për rregullimin e infrastrukturës.
“Ne vetëm kuptuam lajmin kur u bë publike kandidatura formale dhe kishte një lloj konstatimi për mua pak të çuditshëm nga ana e Shqipërisë, një lloj konstatimi pa konsultim paraprak se ne nuk i plotësojmë kushtet. Nëse flasim për vitin 2027, ne deri atëherë do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme për lojë”, shtoi udhëheqësi i MKRS-së.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka reaguar ende. As që pritet të bëjë një gjë të tillë.