Futboll

Calafiori lëndohet, kthehet tek Arsenali

calafiori

Federata Italiane e Futbollit ka njoftuar të premten se mbrojtësi i krahut, Riccardo Calafiori, ka pësuar lëndim në gjurin e këmbës së majtë të enjten mbrëma në ndeshjen ndaj Gjermanisë.

Italia u mposht nga Gjermania me rezultatin 2:1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kombeve.

Pas testeve mjekësore është vërtetuar se Calafiori do të mungojë në ndeshjen e kthimit ndaj Gjermanisë.

Calafiori do të kthehet tek Arsenali për të bërë teste të reja mjekësore.

Siç kanë raportuar mediet italiane, Calafiori mund t’i mungojë Arsenalit për dy apo tri javë.

“Riccardo Calafiori, i cili iu nënshtrua testeve këtë mëngjes pasi pësoi një lëndim në gjurin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes së djeshme kundër Gjermanisë, nuk është në dispozicion për ndeshjen e dytë të së dielës dhe do të kthehet në klubin e tij”, shkruhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Italisë.

Ndeshja e dytë çerekfinale ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë luhet të dielën nga ora 20:45.