Përzgjedhësi i Shqipërisë U21 në futboll, Alban Bushi, ka thënë se dy lojtarë të Kosovës kanë premtuar se do t’i bashkohen Shqipërisë.
Ai nuk ka bërë të ditur emrat e lojtarëve, por ka shtuar se lojtarët nga Kosova është dashur të jenë më korrekt.
Një prej lojtarëve që Shqipëria kishte interesim ishte Dion Gallapeni i Prishtinës. Mbrojtësi i krahut pranoi ftesën e Kosovës A për ndeshjet ndaj Islandës në Ligën e Kombeve.
“Kemi pasur dy lojtarë që më premtuan që do të vinin te Shqipëria deri ditën e fundit dhe pastaj i pashë në listën e Kosovës. Nuk ka asgjë të keqe. Por duhet të tregoheshin më korrektë në komunikimin që ne kishim sepse deri ditën e fundit më thanë që do të vijnë dhe në fund i pashë në listën e Kosovës. Nuk jam i mërzitur sepse edhe Kosova duhet të mbështetet si nga shqiptarët e Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë diaspora sepse është vendi ynë dhe na bëhet qejfi edhe kur shkojnë lojtarët e mirë andej”, ka thënë Bushi në konferencën për media.
Shqipëria U21 do t’i zhvilloj dy ndeshje miqësore. Të premten luan kundër Greqisë, kurse kundër Luksemburgut më 25 mars.
Në fakt, Shqipërisë i janë bashkuar disa futbollistë që në të kaluarën kanë përfaqësuar Kosovën. Së fundi Shqipërisë iu bashkua kapiteni i Shpresave të Kosovës, Etnik Brruti.