Pak para fundit të ndeshjes Rumania – Kosova e zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht, lojtarët e Kosovës e braktisën fushën.
Pas përplasjes në fushë të kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, me futbollistin rumun, Denis Alibec, u krijua tollovi e madhe dhe u përfshinë shumë lojtarë.
Në tribuna pati fyerje, ndërsa kishte edhe thirrje “Serbi, Serbi”.
Nuk munguan as hedhjet e gjësendeve në fushën e lojës, kurse disa prej lojtarëve të Kosovës bënë figurën e shqiponjës dykrenore. Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha dhe nuk u kthyen më.
Lidhur me vendimin e UEFA-s që ndeshja e Grupit C2 të Ligës së Kombeve t’i takojë me rezultat zyrtar 3:0 përfaqësueses rumune, Federata e Futbollit e Kosovës më 5 dhjetor njoftoi se i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Dy ditë më herët, CAS-it i është drejtuar edhe Federata e Futbollit e Rumanisë.
Apeli i UEFA-s e kishte marrë vendimin më 20 nëntor, dhe e kishte regjistruar ndeshjen e ndërprerë me rezultatin zyrtar në të mirë të Rumanisë.
Po ashtu, e pati gjobitur federatën rumune me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme, ndërsa FFK-ja u gjobit me 6000 euro për ndëshkimin e pesë lojtarëve të Kosovës me kartonë të verdhë.
Rumunët e kanë vlerësuar dënimin si shumë të rëndë, ndërkohë synojnë që ta anulojnë edhe vendimin e UEFA-s për zhvillimin pa shikues të ndeshjes së ardhshme të Rumanisë si vendëse.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, beson se vendimi i CAS-it do të merret në muajin shkurt.
Ai beson se vendimi do të jetë në të mirë të rumunëve.
“Ne besojmë se në muajin shkurt do të kemi vendim nga CAS-i. Ne duam që të mbetet vendimi për rezultatin 3:0 në të mirën tonë për ndeshjen ndaj Kosovës, por duam edhe që tifozët rumunë të jenë të pranishëm në mars të vitit 2025. Aktualisht jemi të përgatitur për çdo skenar”, ka thënë kryetari i federatës rumune.
Pasi “Dardanët” nuk u kthyen në lojë, gjyqtari danez Morten Krogh kishte dalë në fushë dhe kishte dhënë shenjë për fundin e ndeshjes. Rumunët e kanë vlerësuar moskthimin e lojtarëve të Kosovës të padrejtë dhe kërkojnë ndëshkim për këtë.
“Moskthimi i ekipit të Kosovës nuk u sanksionua fare. Kur e them këtë, nuk konsiderojmë se fitorja 3:0 me rezultat zyrtar është sanksion për Kosovën. Është vendim që duhet të qëndrojë gjithsesi, sepse duhet të kesh rezultat për fundin e ndeshjes. Ose të jetë 0:0 siç ishte në fushë, ose 3:0 ashtu siç u mor vendimi”, ka thënë ai në konferencën për shtyp, shkruan “Sport.ro” të shtunën.
Dënimi më i madh për Rumaninë, prej 50 mijë eurosh dhe me një ndeshje pa shikues u dha për fyerje anti-hungareze. Për mesazhin politik, përkatësisht për thirrjet “Serbia, Serbia”, Rumania u gjobit me 30 mijë euro. Për hedhje të gjësendeve gjoba është 9000 euro, për fishekzjarrë 4500 euro e për pengimin me dritë të laserit 8000 euro. Për fishkëllimat gjatë himnit të Kosovës, rumunët duhet të paguajnë 12 mijë e 500 euro, ndërsa për mbylljen e rrugëve në tribuna, përkatësisht për qëndrim të shikuesve në vendin e caktuar për lëvizje gjoba është 14 mijë euro.
“Nuk duam që moskthimi i lojtarëve në fushë të bëhet precedent i rrezikshëm. Ne konsiderojmë se vendimi i UEFA-s nuk ishte i drejtë për sanksionet që i janë dhënë Rumanisë. Sanksioni për përdorimin e laserit është më i madh sesa i Kosovës që e ka lënë fushën”, ka deklaruar Burleanu.