Etnik Brruti do të jetë pjesë e Shqipërisë në ndeshjet hapëse të ciklit të ri kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm. Brruti ditë më parë vendosi që t’i bashkohej “kuqezinjve”, ndonëse kishte paraqitje me U19 e U21 të Kosovës. Madje me Kosovën U21 së fundmi, Brruti ishte edhe kapiten i përfaqësueses.
Por mesfushori i Malishevës ka zënë vend në listën me 26 futbollistë të publikuar nga përzgjedhësi Sylvinho të shtunën, për të cilin ka folur vetë braziliani në konferencën për shtyp.
“Ne jemi një grup që merret me vlerësimin e lojtarëve. Ne bëjmë vlerësimet e lojtarëve shqiptarë. Brruti është një lojtar që na mungon. Muçolli ishte një lojtar që i kishte këto karakteristika, por fatkeqësisht ka qenë i dëmtuar. Kemi shumë emra në të majtë, por në të djathtë nuk kemi shumë opsione. Rikthehet Pajaziti sepse bën shumë role. Brruti është lojtar që luan me të majtën dhe jam i lumtur që është këtu. Sa i përket polemikave dhe debateve, është lojtari që e jep përgjigjen. Ne jetojmë vazhdimisht me presionin. Të luash në ‘Wembley’ është sigurisht presion, por ne si staf duhet t’i mbështesim”, ka deklaruar Sylvinho në konferencën për shtyp pas publikimit të listës.
Shqipëria i nis në udhëtim tek Anglia kualifikimet për Kupën e Botës 2026 që në vitin e ardhshëm organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndeshja Anglia – Shqipëria luhet më 21 mars, ndërsa pas tre ditësh në Tiranë, Shqipëria e pret Andorrën. Në Grupin K kualifikues janë edhe Letonia dhe Serbia.
Shkaku lëndimeve të shumta, jashtë listës kanë mbetur emra të njohur, ndërsa ka edhe emra të rinj të cilët janë ftuar.
Përveç Brrutit, emër i ri është edhe Juljan Shehu që aktivizohet te Widzew Lodz në Poloni.
Mungojnë mbrojtësit Mario Mitaj e Elseid Hysaj, mesfushori Keidi Bare, dhe sulmuesit Mirlind Daku, Taulant Seferi e Anis Mehmeti, që së fundmi ka pasur paraqitje të mira në kategorinë e dytë të futbollit anglez me Bristol Cityn.
Të gjithë këta mungojnë shkaku i lëndimeve të ndryshme, por është kthyer Armando Broja, i cili paraqitjen e fundit me Evertonin e pati më 9 janar në Kupën FA, kur ndaj skuadrës Peterborough e lëndoi nyjën e këmbës.
“Kemi dëmtime por edhe ata vuajnë njësoj. Janë dy ndeshje shumë të ndryshme. Anglia është njëra nga skuadrat më të mira në botë. Kanë një nga trajnerët me nivelin më të lartë. Unë shqetësohem për të dyja sfidat. Të dyja ndeshjet do t’i përgatisim mirë në të gjitha aspektet”, është shprehur Sylvinho.
Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur që të kualifikohet në një kampionat Botëror. Për Sylvinhon, pas suksesit me kualifikimin në “Euro 2024”, synim tani mbetet ngjarja globale.
“Janë gara të ndryshme, por edhe kundërshtarë të ndryshëm. Është ëndërr e bukur për të hskuar në Botëror. Kërkon kohë që të arrihet. Ne duhet të marrim pikë nga këto ndeshje, sepse rregulli këtu është më i vështirë. Është grup i vështirë. Mund të ndodh që të fitosh e të humbësh, por në fushë duhet të hysh gjithmonë duke e përfaqësuar vendin”.
Shqipëria me Sylvinhon në Evropianin e vitit të kaluar në Gjermani patën paraqitje që u vlerësuan pozitive, pavarësisht eliminimit si e fundit në tabelë me një pikë.
E pati një barazim me Kroacinë në Grupin B, ndërsa u mposht nga Spanja e Italia.
Por nuk shfaqi nivel të lartë në ndeshjet e Ligës së Kombeve duke rënë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ishte në Grupin B1 me Çekinë që e fitoi grupin, Ukrainën që përfundoi e dyta dhe me Gjeorgjinë që zuri vendin e tretë.
Grumbullimi zyrtar i futbollistëve për ndeshjet e muajit mars nis të hënën, më 17 mars.

Lista për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Simon Simoni
Mbrojtës: Ivan Balliu, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Etnik Brruti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha
Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj