Futboll

Broja: Dua ta ndihmoj Shqipërinë me gola dhe asistime

Armando Broja

Sulmuesi Armando Broja shpreson ta ndihmojë Shqipërinë me gola dhe asistime në Kampionatin Evropian që nis më 14 qershor në Gjermani. 

“...Jam gati gjithmonë, që kur kam qenë i vogël. Trajneri zgjedhe ekipin, unë jap maksimumin. Jam këtu për ta ndihmuar ekipin me gola dhe asistime. Sulmuesi është për të shënuar gola dhe për të bërë dallimin. Për këtë jam këtu. Do Zoti të luaj mirë dhe të jap sa më shumë për kombëtaren”, ka thënë Broja.  

Ai thotë se është gati ta japë 100 përqindëshin për kombëtaren e Shqipërisë.

“Jam shumë mirë nga ana fizike. Kam punuar edhe individualisht për të qenë gati. Jam kthyer në formën para lëndimit. Jam kënaqur në fushë për aq minuta sa isha në fushë. Kemi skuadër të fortë. Të gjithë shkojmë shumë mirë bashkë”, është shprehur Broja. 

Ai pret ta nisin mbarë Evropian. Ndeshjen e parë Shqipëria e luan ndaj Italisë më 15 qershor. 

“Kemi luajtur të gjithë kundër ekipeve të forta. Kemi punuar shumë dhe po vazhdojmë të punojmë për ta nisur mbarë evropianin. Do të jetë vështirë, por ne jemi duke u përgatitur maksimalisht. Uroj të bëjmë mirë në Evropian”, ka thënë Broja.