Edoardo Bove në minutën e 16-të të ndeshjes u ul për t’i lidhur këpucët. U ngrit përsëri dhe me vështirësi bëri disa hapa. 22-vjeçari më pas u rrëzua pa ndjenja në fushën e lojës.
Gjithë situatën më së miri e panë dy lojtarët e Interit, mbrojtësi Denzel Dumfries dhe mesfushori Hakan Calhanoglu, që ishin fare pranë futbollistit të Fiorentinas. Ata reaguan menjëherë, ndërsa reaguan edhe gjithë futbollistët e tjerë në fushë që bënin me duar duke kërkuar ndihmën e stafit mjekësor.
Ndihma e mjekëve nuk vonoi.
Futbollisti italian u dërgua në autoambulancë e me të në spital, ndërsa lojtarët e tifozët në stadium mbetën të shokuar me ngjarjen tronditëse. Ndeshja e së dielës e Serie A, Fiorentina – Inter, u ndërpre zyrtarisht nga gjyqtari, ndërsa data se kur do të vazhdojë do të caktohet më vonë.
Bove në autoambulancë ishte pa ndjenja, ndërsa kishte frymëmarrje normale. Futbollisti i huazuar nga Roma, ngadalë e mori veten në spitalin Careggi, që është shumë afër stadiumit “Artemio Franchi” në Firence.
Ai tani është i vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut për jetën. Por do të mbahet ende në intensivë, për ta përcjellë gjendjen e tij edhe në ditët në vijim.
Lojtarët, zyrtarët e skuadrave e sidomos tifozët e skuadrës së Fiorentinas mbetën të shokuar kur 22-vjeçari u largua nga fusha, pasi kishin kujtime nga e kaluara kur ish-kapiteni Davide Astori ishte gjetur i vdekur në një hotel në vitin 2018.
Tragjedia kishte ndodhur para ndeshjes në udhëtim tek Udinese, kur Astori ishte gjetur i vdekur në gjumë, në moshën 31-vjeçare.
Në muajin prill, ndeshja ndërmjet Udineses dhe Romës ishte ndërprerë dhe ishte luajtur në një ditë tjetër, pasi mbrojtësi i Romës, Evan Ndicka, kishte kolapsuar dhe kishte dyshime për sulm në zemër.
Roma, që më vonë e kishte fituar ndeshjen 2:1, kishte shkruar se Ndicka ka pasur telashe me mushkëri dhe jo sulm në zemër.
Rreth situatës së krijuar të dielën kanë shkruar skuadra e futbollistë të shumtë.
“Forza Edoardo, ne jemi me ty. Ti je djalosh i fortë me karakter të fortë. Jemi afër teje e familjes në këto momente”, ka shkruar Fiorentina, që po ashtu ka bërë me dije se futbollisti “nuk ka dëmtime të sistemit neurologjik apo atë të zemrës”.
Edhe “Lega Serie A” ka shkruar në platformën “X”, “Forza Edoardo. Ne të gjithë jemi me ty”.
Portieri i Fiorentinas, David de Gea, shkroi “Zot të lutem” në rrjetet sociale.
Përkrahje të madhe ka pasur edhe nga tifozët.
“Ti je një nga ne, ne jemi të gjithë me ty. Forza Edo”, ka shkruar Roma të dielën.
Drejtori i Interit, Giuseppe Marotta, ka shkruar se shtyrja e ndeshjes ishte vendim i lehtë dhe i arsyeshëm.
“Futbolli është komunitet dhe ndodhin gjëra të tilla. Të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët punuan së bashku për ta ndihmuar atë dhe ishte vendim i lehtë për ta ndërprerë ndeshjen”, ka thënë Marotta për “Sky Sport Italia”.
“Ne të gjithë jemi me ty, Edoardo!”, ka shkruar Juventusi, ndërsa lideri i ligës, Napoli, shkroi: “Edoardo, ne jemi me ty!”.
Në vitet e fundit rastet e sulmeve të ngjashme në fushën e lojës kanë qenë të shumta. I tillë ka qenë edhe momenti i mesfushorit të Danimarkës, Christian Eriksen. Eriksen kishte kolapsuar në fushë në ndeshjen e parë të Danimarkës në “Euro 2020”. Erikseni vazhdon të luajë dhe është pjesë e Manchester Unitedit në Angli.
Bove është produkt i akademisë së Romës.
Në verë iu bashkua Fiorentinas në formë huazimi për 1.5 milionë euro, me opsionin për transferimin e plotë prej 10.5 milionë eurosh.
Ai në edicionin aktual të Serie A ka zhvilluar 14 ndeshje, ndërsa e ka një gol të shënuar e katër asistime.