Pas dorëheqjes së Edin Terziqit, Borussia Dortmundit i është larguar edhe mbrojtësi Mats Hummels.
Lajmin e ka bërë të ditur 35-vjeçari të premten në rrjetet sociale.
Hummels pas njoftimit është shprehur i lumtur me aventurën te Dortmundi.
“Të dashur fansa, kohës sime te 'verdhezinjtë' tani po i vjen fundi pas mbi 13 vjetësh. Ky klub dhe tifozët e tij janë diçka shumë e veçantë, dhe për mua edhe më shumë se kaq. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj të gjithë punonjësit e Dortmundit që bëjnë një punë të shkëlqyer për këtë klub dhe sigurisht trajnerët e panumërt të mëdhenj dhe shokët fantastikë të skuadrës që kam pasur kënaqësinë të takohem këtu”, ka thënë Hummels.
Ditë më parë është raportuar se Terziq ka pasur përplasje me mbrojtësin legjendar të Dortmundit, Mats Hummels.
35-vjeçari ka dhënë kontribut të madh për Dortmundin në Ligën e Kampionëve në edicionin 2023/2024. Ai me skuadrën gjermane arriti në finale, por u mposht nga Real Madridi me rezultat 2:0.
Interesim për gjermanin së fundmi ka shprehur skuadra e Romës.