Futboll

Bilanci i Kosovës me kundërshtarët e grupit

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të premten ka mësuar kundërshtarët për Kupën e Botës 2026, që do të organizohet në Meksikë, Kanada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kosova do të jetë në Grupin B, bashkë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Me Zvicrën, që vlerësohet favorite për ta fituar grupin, Kosova ka luajtur tri herë. Të tria ndeshjet janë mbyllur baras. 

Më 29 mars të vitit 2022, Kosova barazoi 1:1 në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Letzigrund” në Zurich. 

Dy barazimet tjera, Kosova i kishte në shtator e nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Kosova dhe Zvicra barazuan më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë 2:2, ndërsa 1:1 kishte përfunduar ndeshja e 18 nëntorit në “St. Jakob-Park” të Baselit.

Bilanc negativ, Kosova ka me Suedinë e Slloveninë. Me Suedinë, Kosova ka zhvilluar tri ndeshje, një miqësore e dy ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022. Ka pranuar shtatë gola në ato ballafaqime dhe nuk e ka shënuar asnjë. 1:0 ishte mposhtur në miqësoren e vitit 2020, më 28 mars të vitit 2021 ishte mposhtur në shtëpi 3:0, e me të njëjtin rezultat kishte humbur edhe në udhëtim.

Me Slloveninë, “Dardanët” kanë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve në vitin 2020. Më 11 tetor të vitit 2020, Kosova humbi si vendëse 1:0, ndërsa 2:1 kishte përfunduar ndeshja në Slloveni, më 15 nëntor.