Futboll

Besa Famgas tregon forcën para turneut final të Kupës

Besa Famgas

Kampionia në fuqi e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, ka treguar forcën para turneut final të Kupës dhe plejofit.

Të shtunën në kuadër të xhiros së fundit të stinorit të rregullt në Superligë, Besa fitoi ndaj Kastriotit në Ferizaj me rezultat bindës, 36:26. Besa ka dominuar plotësisht për fitoren e radhës.

Mursel Mehmeti u dallua me shumë pritje, ndërsa Olsi Mulaj i kishte tetë gola. Lulzim Shabani ishte më efikasi te Kastrioti, po ashtu me tetë gola.

Besa përfundon stinorin e rregullt në pozitën e dytë me 48 pikë. Kastrioti starton në plejof prej pozitës së tretë. I ka 36 pikë. Këto dy skuadra takohen në gjysmëfinale të plejofit.

Por fillimisht, fundjavën e ardhshme në Pejë është turneu final i Kupës. Gjysmëfinalet e Kupës janë Besa Famgas – Rahoveci, Trepça – Kastrioti.

Në kuadër të xhiros së 28-të, përkatësisht të fundit, Vushtrria të dielën e mposhti Vëllaznimin me rezultat 31:26. Të hënën është takimi Prishtina – Trepça.

Te hendbollistet u zhvillua xhiroja e parafundit, përkatësisht e 17-ta. Lideri, Ferizaj, nuk ka lejuar befasi duke fituar 49:26 ndaj Kastriotit.