Legjenda e Real Madridit, Karim Benzema ka thënë se ish-bashkëlojtari Vinicius Junior e meritonte Topin e Artë.
Të hënën, “France Football” befasoi duke ia dhënë Topin e Artë mesfushorit të Cityt, Rodri – anipse deri në ditën e ceremonisë fituesi ishte Vinicius, sipas raportimeve nga mediat botërore.
“Vini e meritonte ta fitonte Topin e Artë. Kam folur me të, ai është i mërzitur. Është normale”, ka thënë Benzema në një intervistë për “El Chiringuito”.
Sulmuesi i Al-Ittihadit dha mendim edhe për fitimin e çmimit nga Rodri.
“Nuk kam asgjë kundër Rodrit, ai është lojtar i mirë, por unë jam në divan duke parë një ndeshje në televizor dhe Rodri nuk bën asgjë që të bën të thuash ‘wooow’. Vini e ka bërë më shumë se një herë”, ka shtuar Benzema.
Francezi tutje u shpreh se është shumë e vështirë të pranohet kur deri në ditën e fundit e di që je fitues e më pas e merr vesh që nuk do të jesh.
“Unë mendoj se është e komplikuar kur e di e gjithë bota se do ta fitosh Topin e Artë dhe në fund, një ditë më parë, ose një orë më parë, ata thonë se nuk do ta fitosh atë... Është shumë e ndërlikuar. Vinicius është djalë i mirë, ai do të punojë dhe një ditë do të fitojë Topin e Artë”, ka thënë Benzema.
Si pasojë e këtij ndryshimi, delegacioni i Real Madridit bojkotoi ceremoninë.