Futboll

Benzema kthehet te Real Madridi për çështje mjekësore

Karim Benzema

Futbollisti francez Karim Benzema është kthyer urgjentisht në Madrid për ta trajtuar lëndimin që e ka pësuar me Al-Ittihadin, shkruan MARCA.

Benzema, 36 vjeç, nuk po kalon formën më të mirë në Arabinë Saudite që kur shkoi tek Al-Ittihad verën e kaluar.

Në duelin e ligës arabe kundër Al Wehdas, Benzema u largua i dëmtuar nga fusha. Në fund të pjesës së parë, ai u ankua për dhimbje në muskulin e këmbës, pas së cilës u zëvendësua.

Benzema tash është kthyer në Real për ta trajtuar problemin.

Në një deklaratë të shkurtër, klubi saudit falënderoi Realin për mundësinë e trajtimit mjekësor në kampin e Valdebebas për Benzeman.

Benzema la gjurmë të mëdha te Reali midis viteve 2009 dhe 2023. U bë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Real Madridit dhe fitoi Topin e Artë.